Izraeli shqyrton reagimin ndaj Iranit, ndërsa SHBA-të kërkojnë vetëpërmbajtje

Izraeli po shqyrton se si do t’i përgjgjet sulmeve të fundjavës me dronë dhe raketa nga Irani, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre i kanë bërë thirrje qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanjahu të mos përshkallëzojë situatën duke rrezikuar ndezjen e një konflikti më të gjerë në rajon. Siç njofton korrespodentja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Patsy Widakuswara analistët mendojnë se ka edhe arsye të tjera të cilat nxisin reagimin e kryeministrit të Izraelit.

Të martën, Izraeli tregoi atë që sipas tij është një raketë balistike e cila u interceptua të shtunën, një nga qindra raketat dhe dronët e lëshuar nga Irani, sulmi i parë i drejpërdrejtë ndaj Izraelit nga toka iraniane.

Irani ka deklaruar se veprimet erdhën në përgjigje të një sulmi të dyshuar izraelit në konsullatën e tij në Siri në fillim të muajit. Izraeli është zotuar se do të kundërpërgjigjet.

“Irani do të përballet me pasojat e veprimeve të tij. Do t’i përgjigjemi këtij sulmi ashtu siç duhet”, tha Herzi Halevi, Shefi i forcave të armatosura izraelite

Izraeli njoftoi dëme jo të rënda pasi interceptoi më shumë se 300 raketa dhe dronë iranianë me ndihmën e Shtetevet të Bashkuara dhe aleatëve rajonalë. Kjo krijon përshtypjen se sulmet e Iranit mund të ishin planifikuar në mënyrë të tillë që të minimizonin viktimat.

Analistët thonë se përgjigja e Izraelit ka të ngjarë të synojë objekte brenda Iranit, por pa vrarë civilë.

“Objekti i sulmit nuk duhet të jetë simbolik, por nga ana tjetër, në kuptimin politik, të verë në pozita turpëruese regjimin dhe t’i krijojë idenë se ka nevojë të përshkallëzojë situatën. Pra ketë manovra, janë të llogaritura me shumë, shumë kujdes, por është shumë e lehtë që diçka të shkojë gabim”, shprehet Jonathan Rynhold nga Universitetit “Bar-Ilan”, Izrael .

Izraeli po ashtu mund të zgjedhë të kryejë operacione të fshehta, duke vënë në shënjestër zyrtarë iraniane, apo të ndërmarrë sulme kibernetik, si virusi kompjuerik Stuxnet në vitin 2010.

“Ata krijuan një virus dhe më pas e injektuan atë në sistemin kompjuterik të komplekseve bërthamore iraniane, duke bërë që centrifugat të dilnin jashtë kontrollit, duke shkaktuar dëme në miliona dollarë dhe duke dobësuar kapacitetet bërthamore të Iranit”, shprehet Gregory Hatcher nga kompania White Knight Labs.

Cilido qoftë vendimi i kryeministrit izraelit Benjamin Natanyahu, Presidenti Joe Biden i ka thënë atij se Shtetet e Bashkuara nuk të jenë pjesë e përgjigjes izraelite si dhe ka bërë thirrje për uljen e tensioneve.

“Ne nuk duam të shohim luftë me Iranin. Ne nuk duam të shohim zgjerim te konflikt, tha John Kirby zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Por kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë pasoja.

“Pritshmëritë e mia janë se do të vendosim sanksione shtesë ndaj Iranit në ditët në vazhdim”, tha Janet Yellen, Sekretarja amerikane e Thesarit.

Kryeministri Netanyahu përballet me trysni brenda vendit dhe me dënimin në rang ndërkombëtar për shkak të situatës në Gazë. Disa e akuzojnë atë se po përshkallëzon qëllimisht situatën me Iranin, mes tyre edhe Ayman Safadi, ministri i jashtëm jordanez, vend aleat i Shteteve të Bashkuara që ndihmoi në mbrojtjen e Izraelit nga sulmet e Teheranit.

“Nuk është sekret se politikat e kryministrit izraelit synojnë zgjerimin e konflikit me qëllim uljen e trysnisë në rritje ndaj tij në nivel botëror si pasojë e vrasjeve, luftës dhe shkatërrimit që po kryen në Gazë”, tha ai.

Edhe udhëheqës të tjerë i janë bashkuar thirrjeve për vetëpërmbajtje.

Mbetet e paqartë nëse kryeministri Netanyahu do t’i marrë ato në konsideratë.

“Ai përherë ka dashur të sulmojë Iranin, sidomos objeket bërthamore iraniane. Ai mund ta shohë këtë si shansin e fundit për të mundur të gjithë aleatët e Izraelit, Hezbollahun, Iranin e të tjerë”, tha Barbara Slavin nga Qendra Stimson.

Të martën, kryeministri Netanyahu u zotua se do të mbrojë Izraelin ndaj Iranit dhe grupeve të lidhura me të. /VOA

Check Also

Marrëveshja me Italinë, Rama për ”Financial Times”: Është një rast 100% unik!

“Marrëveshja e Shqipërisë me Italinë për migrantët është unike, pavarësisht interesit nga qeveritë e tjera”, …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *