SPAK ka arrestuar ditën e sotme disa ish-zyrtarë të Bashkisë Tiranë
Në pranga kanë rënë Redi Molla ish-Drejtor i UKT dhe Mariglen Qato ish-Drejtor i IMT, ndërkohë që për gjashtë të tjerë është kërkuar detyrim paraqitje.
Arrestimet vijnë në kuadër të dosjes 5D, për të cilën opozita ka bërë disa denoncime.
Ndërkohë është lëshuar urdhër-arrest edhe për biznesmenin Nestor Muhametllari. SPAk nisi hetimin mbi bazën e kallëzimit penal të kryer nga Belind Këlliçi, ka rregjistruar procedimin penal për çështjen.
Kujtojmë që Molla u largua nga detyra në shtator të vitit 2020, duke u zëvendësuar nga Elton Kacidhja.
Ndërkohë, teksa Molla është arrestuar, kujtojmë që bashkëshortja e tij Vilma Maze punon ende në Bashkinë e Tiranës.
Sipas SPAK për 4 vite Redi Molla ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm të shoqërisë
“Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a, ka shpallur fitues kompaninë që ai dhe Mariglen Qato ishin ortakët e vërtetë dhe pronarët “de facto” të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k.
“Nga burimet e provave të mbledhura në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasit R.M. dhe M.Q. janë ortakët e vërtetë dhe pronarët “de facto” të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k. Shtetasit R.M. dhe M.Q. e kanë zotëruar këtë shoqëri tregtare në mënyrë indirekte, duke përdorur persona të tjerë, shtetasit E.M., M.P. dhe N.M., si ortakë fiktiv në aktet e rregjistrimit dhe funksionimit të shoqërisë, me të cilët ortakët e vërtetë të shoqërisë kanë pasur lidhje shoqërore dhe lidhje miqësore”, njoftoi SPAK.
Ndërkohë, GJKKO ka firmosur me kërkesë të SPAK masë të dytë sigurie për Taulant Tushen, ish drejtor i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës pas masës së parë për inceneratorin e Tiranës.
Masat e sigurisë për personat e përfshirë:
Redi Molla (arrest me burg)
Mariglen Qato (arrest me burg)
Taulant Tusha (nën arrest per aferen e inceneratoreve)
Enton Punavija (detyrim paraqitje)
Julian Zanaj (detyrim paraqitje)
Albano Janku (detyrim paraqitje)
Nestor Muhamellari (detyrim paraqitje)
Eglantina Zere (detyrim paraqitje)
Deborah Keçi (detyrim paraqitje)