Pjesa e parë
Pesëdhjetë urdhër-arreste, nga të cilët vetëm 10 të ekzekutuara, ky është bilanci i pjesës së tretë të përgjimeve dhe të dhënave të përftuara nga aplikacionet “SKY” dhe “EncroChat”. Ervis Martinaj duket se nuk mungon në asnjë nga këto episode. Duke shenjuar kështu kryesimin e listës, si personazhi më i përfshirë në ngjarjet kriminale që tronditën Lezhën, Shkodrën, Laçin, Niklën, Burrelin, Tiranën, Durrësin, e madje këto tentakula kishin filluar të shtriheshin edhe drejt Fierit e Vlorës.
Nga viti 2015 e këtej, vrasësit kishin shkrepur armët mbi njerëz të afërt të Martinajt dhe ish politikanit Arben Ndoka.
Me vrasjen e të vëllait, Ndoka do të zotohej në zbulimin e dorës porositëse, por edhe dorasit që i ekzekutoi Aleksandrin me 14 plumba kallashnikovi, në automjetin parkuar para shtëpisë, mbrëmjen me shi të 9 dhjetorit 2017.
Me arrestimin e Arben Ndokës më 21 tetor 2018, gjithçka do të merrte një tjetër kthesë.
Gjatë vuajtjes së dënimit, ai u njoh me Emiljano Shullazin si dhe forcoi lidhjet me mikun e tij të vjetër, Astrit Avdylin, lidhje të cilat u mbajtën me fanatizëm edhe pas lirimit.
Në këtë kohë, ai mësoi shumë edhe se kush qëndronte pas vrasjes së vëllait të tij. Në dyshimet e para të ngritura, duket se personat që kishin dorë, ishin kundërshtarë të një tjetër njeriu me influencë.
Që nga ajo kohë e këtej, ish-deputeti socialist lidhi aleancë me Ervis Martinajn, me ndërmjetës një tjetër ish-deputet të Partisë Socialiste, mik dhe ortak i kumbarit të lojërave të fatit.
“Shtrëngimi i duarve” Ndoka-Martinaj-Shullazi-Avdylaj u pasua me një luftë të ashpër që kishte vetëm një qëllim, hakmarrjen.
Arben Ndoka kishte zbuluar dorasin e ekzekztimit të të vëllait. Por jo vetëm kaq, përveç këtij, Leksi i Druve ishte për Ndokën kyçi, e madje një nga porositësit e ekzekutimit të bujshëm.
Durim Bami do të ishte personi tjetër i dyshuar si krijuesi i kushteve për vrasjen e Aleksandër Ndokës.
Vrasjet me klering sapo kishin filluar.
Nga njëra anë Ervis Martinaj donte të hakmerrej për ekzekutimin e Fatmir Hysenit i cili dyshohet të jetë edhe personi që qëlloi mbi krahun e djathtë, Santiago Malko.
Fatmir Hyseni, sipas Martinajt, ishte dorasi i Vëllezërve Duka dhe Durim Bamit, dy armiqtë e përbetuar.
Duke e kthyer kështu Bamin në armikun e përbashkët me Arben Ndokën.
Me aleancat që kishte bërë në burg, Ndoka bënte të mundur gjetjen e vrasësve me pagesë për Martinajn, me qëllim eleminimin e Hysenit.
Nga ana tjetër, Martinaj do ta ndihmonte me persona për ekzekutimin e Leksit të Druve dhe Durim Bamit.
Emiljano Shullazi, kishte rol kyç mbledhjen e të dhënave për lëvizjet e këtyre personave, të cilat ja jepte Ndokës.
Me kohën u tentuan edhe atentate të njëpasnjëshme, të cilat dështuan. Ashtu sikundër, grupi kundërshtar vijonte në vijën e frontit të përgatiste kundërsulmet.
Ato herë vinin të drejtpërdrejta e herë shpërndaheshin në njerëzit e afërt të tyre.
Ajo që është e qartë në të gjithë këtë skemë, është fakti se Arben Ndoka, kishte vetëm një synim, eleminimin e njerëzve që i vranë të vëllain. Ndryshe nga Martinaj që rrezen e veprimtarisë e kishte më të gjerë.
Armiqtë e tij ishin të shumtë në numër. Gjë që e bëri që numri i personave të përfshirë në grupin e tij, të ishte i lartë.
Në listën e urdhër arresteve, mbizotërojnë vrasës me pagesë, shokë të fëmijërisë së Ervis Martinajt. Mes tyre edhe Hektor Xheçuka, Ardit Gjokrosa, Albert Zaja e të tjerë.
Lista e plotë:
1. Arben Ndoka
2. Arian Tuku
3. Ilia Ndoka
4. Samuel Ndoka
5. Vinçens Tuku
6. Ervis Martinaj
7. Jozi Kraja
8. Astrit Avdyli
9. Aldo Avdyli
10. Miri Bruli
11. Naim Stafuka
12. Emiljano Shullazi
13. Blerim Abazi
14. Elvis Ndreca
15. Oltion Zefi
16. Edson Jozëik
17. Armando Ndreca
18. Kasandër Noga
19. Elson Reçi
20. Besian Xhixha
21. Enver Diva
22. Robert Laçi
23. Fatmir Troplini
24. Klodian Shahini
25. Henerigert Mitri
26. Gjergji Cukali
27. Kristos Teta
28. Denis Meta
29. Gentian Binjaku
30. Viktor Imeraj
31. Satilno Basho
32. Marklen Haka
33. Tori Xhecuka
34. Edison Muceku
35. Albert Zaja
36. Florenc Kelmendi
37. Ardit Gjokrosa
38. Deivis Bajramaj
39. Adrian Pikli
40. Durim Bami
41. Endrit Dokle
42. Xhelal Rraja
43. Altin Morina
44. Leonard Duka
45. Erlis Duka
46. Fatmir Hyseni
47. Altin Gega
48. Drianto Bardhi
49. Fabio Ballabani
50. Elton Zalla.