Europol i dorëzon Shqipërisë listën e policëve me SKY e EncroChat, bashkëpunojnë me grupet kriminale

Europoli i ka dorëzuar SPAK-ut informacione për policët që bashkëpunojnë me grupet kriminale përmes përdorimit të platformave të koduara të mesazheve. Të dhënat e ndara në një takim javët e fundit po hetohen intensivisht në Shqipëri ku priten arrestime të tjera. Bilanci i deritanishëm nga janari deri në nëntor numëron 69 oficerë të arrestuar me akuza të rënda si pjesë e grupeve kriminale.

Forca goditëse ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit të përfshirë në aktivitet kriminal është shtuar gjatë vitit të fundit, duke shënuar rritje cilësore në krahasim me vitet e shkuara. Hetime të njëpasnjëshme të SPAK nxorën në pah rastet kur drejtori i Operacionales ishte bërë pjesë e një grupi kriminal që kryente vrasje me pagesë, kur shefi i komisariatit të Kurbinit lëvizte në makinë me një nga personat më të kërkuar për trafik kokaine, apo kur oficerë të lartë policie dhe shefa krimesh, hynin në databazat e policisë dhe Interpolit për të vjedhur informacione aty, të cilat i ndanin me grupin e Ervin Matës dhe Erzen Breçanit që kryente trafik ndërkombëtar droge. Ndihma e ndërkombëtarëve në dhënien e indicieve për këto raste, ka ardhur pas zbardhjes së komunikimeve në “SkyECC” në vitet 2019-2020 në Francë dhe Belgjikë, duke nxjerrë në pah detaje që i kanë tronditur të gjithë.

Burime nga SPAK konfirmojnë se në hetim janë një numër i konsiderueshëm policësh të tjerë, për të cilët shumë shpejt nuk do të kursehen sërish prangat. E vetmja pyetje që ka mbetur është: Kush e ka radhën?
Për këtë çështje Europol ka organizuar një takim pak javë më parë një takim me përfaqësues të SPAK dhe Ministrisë së Brendshme, ku janë ndarë shqetësime dhe informacione në lidhje me punonjës të policisë shqiptare që kanë rezultuar përdorues të platformave të koduara dhe të implikuar në bashkëpunim me grupet kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë Shqipërisë, në disa vende të BE-së. Të dhënat e marra nga Europol me sa duket janë kthyer menjëherë në çështje penale në Shqipëri, pasi edhe zv/ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, konfirmoi se arrestime të tjera do të ketë në radhët e policisë.

Check Also

PD kallëzon në SPAK Spiropalin, Hoxhën dhe Drejtorin e Policisë: Persona të armatosur kanosën deputetët

Pak pas përfundimit të protestës dhe tensioneve para Parlamentit nga opozita, ka ardhur edhe reagimi …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *