Shefi i bankës qendrore të SHBA-ve thotë se Trump nuk mund ta shkarkojë.
Kreu i bankës qendrore të SHBA-ve ka reaguar ndaj spekulimeve se pozicioni i tij mund të jetë në rrezik ndërsa Donald Trump përgatitet të marrë pushtetin në Washington.
Kryetari i Rezervës Federale, Jerome Powell, deklaroi se nuk do të japë dorëheqje nëse Trump do t’i kërkonte këtë dhe se “ligjërisht nuk lejohet” që Shtëpia e Bardhë ta shkarkojë atë.
Zoti Powell i bëri këto deklarata gjatë një konference për shtyp pasi banka njoftoi uljen e normave të huamarrjes, duke ulur normën bazë të Fed-it në intervalin 4.5%-4.75%.
Parashikuesit kanë pritur që kostot e huamarrjes të bien më tej në muajt në vijim, por paralajmëruan se planet e Trump-it për ulje taksash, emigracion dhe tarifa mund të mbajnë presionin mbi inflacionin dhe të rrisin huamarrjen e qeverisë, duke komplikuar këto parashikime.
Trump ka premtuar të vendosë tarifa importi prej të paktën 10% mbi të gjitha mallrat që hyjnë në vend, kosto që ekonomistët thonë se do të përballohen nga konsumatorët, duke ndihmuar në rritjen e çmimeve.
Uljet e taksave gjithashtu mund të nxisin inflacionin duke inkurajuar shpenzimet, ndërsa deportimet masive të emigrantëve të propozuara nga Trump mund të krijojnë një boshllëk të madh në fuqinë punëtore të SHBA-ve, duke rritur pagat.
Normat e interesit mbi borxhin e SHBA-së janë rritur këtë javë, duke reflektuar këto shqetësime.
Zoti Powell tha të enjten se ishte shumë herët për të përcaktuar se si agenda e administratës së re mund të ndikojë në ekonominë e SHBA-ve – ose se si Qeveria duhet të reagojë. “Është një fazë shumë e hershme – nuk e dimë cilat janë politikat, nuk e dimë kur do të zbatohen,” tha ai. “Në afat të shkurtër, zgjedhjet nuk do të kenë asnjë ndikim në vendimet tona politike.”
Powell u emërua nga Trump në vitin 2017, por më vonë u bë një objektiv i shpeshtë i kritikave të tij. Gjatë mandatit të tij të parë, Trump i quajti zyrtarët e bankës “kokëfortë” në mediat sociale dhe raportohet se është këshilluar me stafin nëse mund ta shkarkonte z. Powell.