Një sasi prej 45 kg drogë e llojit kokainë është sekuestruar nga policia greke pasditen e së enjtes në një shtëpi në Koropi. Në pranga ka përfunduar Vaska Leka.
Sipas policisë greke, droga ishte e ndarë në 36 pako të standardizuara që kishin logo të ndryshme nga jashtë dhe brenda për të identifikuar sasitë në fjalë.
Gjithashtu, gjatë operacioni u sekuestruan edhe një pushkë ushtarake tip kallashnikov, pistoletë me 2 karikatorë dhe 149 fishekë të kalibrave të ndryshëm. Droga u gjet e fshehur në dhomën e kaldajës dhe në një magazinë.
Mediat greke shkruajnë se 45-vjeçari shqiptar ishte aktiv në trafikun e kokainës në në pellgun e Atikës dhe kryesisht në Atikën Perëndimore dhe Periferinë Veriore. Ai u ndalua fillimisht nga policia me një pako me 17.5 gramë kokainë.
Në njoftimin përkatës thuhet se zbardhja e aktivitetit të qarkut të trafikut të kokainës dhe ndërprerja e aktivitetit të tyre ka ardhur si rezultat i një hetimi sistematik, analizës dhe kryqëzimit të informacionit, vëzhgimit fizik dhe verifikimit të vendeve dhe detajeve të individëve.