“Vijon me intensitet procesi i vetë-pastrimit të Policisë së Shtetit”, Balla reagon pas arrestimit të efektivit në Portin e Durrësit

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar pas arrestimit të një oficeri policie në Portin e Durrësit pasi lejoi të dilte jashtë vendit një person të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Balla deklaron se forcimi i bashkëpunimit me SPAK, prokuroritë e jurisdiksionit të përgjithshëm, SHISH dhe agjenci të tjera ligjzbatuese në procesin e vetë-pastrimit të Policisë së Shtetit është i domosdoshëm.

“Ndërsa vijon me intensitet procesi i vetë-pastrimit të Policisë së Shtetit, një tjetër punonjës policie është arrestuar në Policinë Kufitare të Durrësit, për një shkelje të rëndë. Forcimi i bashkëpunimit me SPAK, prokuroritë e jurisdiksionit të përgjithshëm, SHISH dhe agjenci të tjera ligjzbatuese në procesin e vetë-pastrimit të Policisë së Shtetit është i domosdoshëm.

Hetimet për punonjës të nivelit të parë drejtues apo zbatues, të dyshuar për shpërdorim detyre, korrupsion, vepra penale në fushën e narkotikëve, veprime arbitrare, lidhje/komunikime me krimin si dhe çdo veprim tjetër të paligjshëm, do të na mundësojnë pastrimin e duhur dhe besimin e plotë të qytetarëve tek Policia e Shtetit”, deklaron ministri Balla.