EMRI/ Goditet me thikë në zemër për një vajzë, humb jetën 35-vjeçari shqiptar në Itali! Arrestohen dy të rinj, njëri prej tyre i mitur

Dy të rinj shqiptarë, të moshës 17 dhe 19 vjeç, janë arrestuar nga policia italiane, pasi akuzohen për vrasjen e bashkëkombësit të tyre, 35-vjeçarit Vladimir Lleshi. Ngjarja ndodhi pasditen e 8 majit, në zonën midis rrugës Corridoni dhe Baracca në Prato të Italisë.

Sipas mediave italiane, sherri fatal ka ndodhur për shkak të mesazheve dërguar një vajze, që dyshohet se ka qenë shkaku i konfliktit midis të rinjve dhe viktimës.

Dy të arrestuarit janë marrë në pyetje nga zëvendësprokurorja Valentina Cosci, ndërsa nga dëshmitë e tyre rezulton se ata kishin lënë takim me Vladimir Lleshin në vendin e ngjarjes. 35-vjeçari kishte mbërritur atje i shoqëruar nga dy persona të tjerë. Grindja u përshkallëzua me goditjen fatale ndaj Lleshit, ndërsa të rinjtë e dyshuar u larguan menjëherë pas krimit.

Gjatë përleshjes, mbeti i plagosur edhe një 21-vjeçar shqiptar, që ndërhyri për të mbrojtur Lleshin. Ai u gjet i plagosur në vendngjarje dhe u dërgua me urgjencë në spital.

Policia italiane ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, ndërsa dy të rinjtë e arrestuar pritet të dalin para gjykatës për masën e sigurisë.