Papa Leo XIV, lideri i parë amerikan i Kishës Katolike, i pasionuar pas matematikës dhe tenisit
Papa Leo XIV, emri i lindjes Robert Francis Prevost, është papa i parë amerikan në historinë e Kishës Katolike. 69-vjeçari nga Çikago është një personalitet me përvojë të gjerë në misione dhe udhëheqje, me një karrierë të gjatë në Amerikën e Jugut.
Papa i ri është anëtar i urdhrit Agustinian dhe njihet për angazhimin e tij në misionet kishtare. Ai ka shërbyer për një dekadë në Trujillo të Perusë dhe më pas si peshkop i Çiklajos deri në vitin 2023. Në Vatikan, Papa Leo XIV njihet për qëndrimet e tij të moderuara dhe përkushtimin ndaj të varfërve dhe të margjinalizuarve.
Ai flet rrjedhshëm spanjisht dhe italisht dhe është i njohur për lidershipin e tij të qetë dhe të vendosur. Prevost ka drejtuar Tribunalin e Ipeshkvijve dhe Komisionin Papnor për Amerikën Latine, duke u bërë një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Papa Françeskut, i cili e vlerësonte shumë.
Përveç angazhimit fetar, Papa Leo XIV ka një diplomë në matematikë nga Universiteti Villanova dhe është i apasionuar pas tenisit, udhëtimeve dhe leximit. Përveç shtetësisë amerikane, ai ka edhe shtetësinë peruane që prej vitit 2015.
Në fjalimin e tij të parë si papë, ai citoi shën Agustinin, duke theksuar përkushtimin e tij ndaj barazisë dhe drejtësisë sociale, duke marrë emrin Leo në nder të Papa Leo XIII, një figurë e njohur për mbrojtjen e punëtorëve dhe të drejtave sociale.