Parada madhështore në Moskë për Ditën e Fitores, Putin mbron luftën në Ukrainë: Jemi krenarë për guximin e ushtrisë
Në Moskë është zhvilluar sot parada tradicionale për Ditën e Fitores, për të përkujtuar 80-vjetorin e triumfit mbi Gjermaninë naziste, një ngjarje që për të katërtin vit radhazi mbahet nën hijen e luftës në Ukrainë. Presidenti rus Vladimir Putin mbajti një fjalim të shkurtër prej 10 minutash para trupave ruse dhe udhëheqësve të njëzet vendeve, të mbledhur në Sheshin e Kuq.
“Në Rusi, Dita e Fitores festohet si festa më e rëndësishme”, tha Putin, duke theksuar se Rusia nuk do të pranojë kurrë shtrembërimin e ngjarjeve të Luftës së Dytë Botërore. Ai kërkoi nga të pranishmit një minutë heshtje në kujtim të të vdekurve të “Luftës së Madhe Patriotike”, ndërsa të ftuarit në tribuna u ngritën në shenjë respekti.
Duke iu referuar luftës në Ukrainë, Putin theksoi se populli rus mbështet fuqishëm trupat në front. “E vërteta dhe drejtësia janë në anën tonë. I gjithë vendi, shoqëria dhe njerëzit i mbështesin ushtarët që marrin pjesë. Ne jemi krenarë për guximin dhe vendosmërinë e tyre, për këtë forcë shpirtërore që na ka sjellë gjithmonë vetëm fitore,” deklaroi presidenti rus.
Në paradë morën pjesë edhe udhëheqës të vendeve aleate të Rusisë, përfshirë presidentin e Kinës, Xi Jinping, presidentin e Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, si dhe liderë nga Kazakistani, Bjellorusia, Vietnami, Armenia, Kuba dhe Venezuela. Pavarësisht thirrjeve për izolim nga Perëndimi, në Moskë ishin të pranishëm edhe kryeministri sllovak Robert Fico, presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe presidenti serb i Bosnjës, Milorad Dodik, i shpallur në kërkim nga drejtësia boshnjake.
Në paradë morën pjesë gjithashtu ushtarë nga 13 vende të tjera, përfshirë forca nga Kina, Vietnami, Birmania dhe Egjipti.
Akuza për shkelje të armëpushimit
Ndërkohë, Ukraina akuzoi Rusinë për qindra shkelje të armëpushimit të urdhëruar nga Putin për periudhën 8-10 maj. Në orët e para të mëngjesit, rajonet Kherson dhe Dnipropetrovsk raportuan për dy të plagosur, të moshës 60 dhe 83 vjeç, nga sulmet me dronë rusë.
Presidenti amerikan Donald Trump bëri thirrje të enjten në mbrëmje për një “armëpushim të pakushtëzuar” prej 30 ditësh, ndërsa shefja e diplomacisë evropiane, Kaya Kallas, njoftoi sot se do të miratohet krijimi i një gjykate të posaçme për të gjykuar “krimet e agresionit rus”.
Nga ana tjetër, Britania e Madhe njoftoi sanksione të reja kundër flotës fantazmë të Rusisë, e cila përdoret për eksportimin e naftës dhe gazit, ndërsa sulmet ajrore mes Moskës dhe Kievit kanë shkaktuar vonesa dhe anulime të qindra fluturimeve në Rusi.