Shqiptari mas*akrohet për vdekje me thikë në Itali, plagoset i riu që ndërhyri për ta mbrojtur – Dyshimet për larje hesapesh

Një 35-vjeçar shqiptar është vrarë me thikë në Prato të Italisë, në një ngjarje të rëndë që tronditi komunitetin shqiptar. Krimi ndodhi në rrugën Corridoni, pranë një kopshti publik në zonën e Via Baracca, ku viktima u sulmua nga disa bashkatdhetarë dhe u qëllua me thikë në bark, duke mbetur i vdekur në vend.

Sipas mediave italiane, viktima nuk kishte dokumente identifikimi me vete dhe ende nuk është identifikuar. Në vendin e ngjarjes u gjet edhe një 21-vjeçar shqiptar, i cili është plagosur rëndë. Ai u godit disa herë me thikë teksa përpiqej të mbronte 35-vjeçarin që mbeti viktimë.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një grindjeje midis bashkatdhetarëve, me dyshime për larje hesapesh mes shqiptarëve. Autorët e sulmit janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe janë në kërkim nga autoritetet, ndërsa thika me të cilën u krye krimi nuk është gjetur ende.

Policia italiane ka nisur hetimet intensive dhe dy persona janë vënë tashmë në shënjestër të hetuesve, por hetimi mbetet në zhvillim të plotë për të zbuluar autorët dhe motivet e vërteta të kësaj ngjarjeje të rëndë.