Vatikani publikon pamjet e Papa Françeskut në arkivol, nis zyrtarisht procesi i funeralit
Vatikani ka publikuar për herë të parë pamjet e Papa Françeskut në arkivol, ndërsa nisën zyrtarisht ceremonitë mortore për kreun e ndjerë të Kishës Katolike. Trupi i Papës është vendosur në arkivol sipas riteve tradicionale dhe do të dërgohet në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku besimtarët do të kenë mundësinë të bëjnë homazhe dhe t’i japin lamtumirën e fundit.
Në përputhje me traditën shekullore të Vatikanit, kreu i përkohshëm i Kishës, së bashku me tre ndihmës, do të kujdesen që të thyejnë “Unazën e Peshkatarit” dhe vulën papale, simbole të pushtetit të Papës, në mënyrë që ato të mos mund të përdoren më nga askush tjetër.
Ceremonitë përkujtimore, të njohura si novemdiales, do të zgjasin nëntë ditë dhe do të përfshijnë meshë, lutje dhe nderime të veçanta në nder të Papës së ndjerë. Data e varrimit pritet të përcaktohet së shpejti nga trupi i kardinalëve, të cilët janë mbledhur në Vatikan për të diskutuar organizimin e funeralit dhe çështjet e mëtejshme që lidhen me drejtimin e Kishës.