Harruan sobën ndezur, përfshihet nga flakët apartamenti në Fier – Familjarët ishin larguar 30 minuta më parë
Një apartament në katin e shtatë të një pallati në lagjen “29 Nëntori” në Fier është përfshirë nga flakët mëngjesin e sotëm, pasi familjarët dyshohet se kishin harruar sobën ndezur para se të largoheshin nga banesa.
Familjarët ishin nisur për në punë vetëm 30 minuta para se të shpërthente zjarri, i cili ka përfshirë kryesisht orenditë e sallonit. Fatmirësisht, në banesë nuk kishte persona në momentin e përhapjes së flakëve.
Alarmi është dhënë nga fqinjët, të cilët kanë vënë re tymin që dilte nga dritaret dhe kanë njoftuar menjëherë shërbimin zjarrfikës. Megjithatë, ndërhyrja e zjarrfikësve është vështirësuar për shkak të rrugës së ngushtë që të çon në hyrjen e pallatit.
Zjarrfikësit kanë arritur të vënë nën kontroll flakët dhe të parandalojnë përhapjen e tyre në apartamentet e tjera, ndërsa grupi hetimor po punon për përcaktimin zyrtar të shkakut të zjarrit, i cili dyshohet të jetë shkaktuar nga pakujdesia.