Nga qelia, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar sërish në lidhje me akuzat për pronësinë e vilës në Qerret, duke publikuar foto që, sipas tij, dëshmojnë se ajo ka qenë në pronësi të vjehrrit të tij, Arben Xoxa.
Në një postim të gjatë, Veliaj hedh poshtë pretendimet e SPAK se vila është në pronësinë e tij, duke e quajtur të padrejtë hetimin dhe akuzat ndaj tij.
“Këtë muaj mbushen 6 vjet nga vdekja e Arben Xoxës, një qytetar model, profesor dhe sipërmarrës i suksesshëm. Në vend që ta përkujtojmë me respekt, ai po persekutohet edhe në atë botë,” shkruan Veliaj.
Ai ironizon pretendimet e prokurorit, i cili ka argumentuar se shoferi i vjehrrit të tij nuk e ka çuar asnjëherë në atë vilë. “Po me cilat prova? Nëse 4 muajt e fundit të jetës ishte pacient me tumor dhe nën trajtim, pse do shkonte në plazh?” shprehet ai, duke publikuar gjithashtu një foto të vjehrrit të tij dhe familjarëve në vilën e diskutuar.
Veliaj pyet se përse do ta fshihte pronësinë e një pasurie, nëse realisht do t’i përkiste atij, duke e konsideruar procesin një sulm politik ndaj tij dhe familjes së tij.
Reagimi i Veliajt vjen ndërsa ai ndodhet në paraburgim për çështjen e inceneratorëve, ndërsa procesi ndaj tij dhe zyrtarëve të tjerë të përfshirë po vijon në SPAK.