Vuçiç viziton Moskën për Ditën e Fitores, BE kritikon: Përkushtimi ndaj vlerave evropiane kërkon distancim nga Putini
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka mbërritur në Moskë për të marrë pjesë në ceremoninë e Ditës së Fitores në Luftën e Dytë Botërore, e cila mbahet çdo vit më 9 maj në Sheshin e Kuq. Kjo vizitë e Vuçiçit, e para në Rusi që nga nisja e agresionit rus ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022, ka ngjallur kritika të ashpra nga Bashkimi Evropian.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, e cilësoi udhëtimin e Vuçiçit si të papranueshëm dhe në kundërshtim me angazhimet e Serbisë si kandidate për anëtarësim në BE.
“Nga Serbia pritet të dëshmojë përkushtim të besueshëm ndaj vlerave evropiane dhe të na bindë për orientimin e saj strategjik drejt Bashkimit Evropian. Nëse dikush dëshiron të tregojë mbështetje për paqen, vendi i duhur për këtë më 9 maj është Kievi, jo Moska,” – thuhet në deklaratën e BE-së.
Bashkimi Evropian ka përsëritur se marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të vazhdojnë si zakonisht në një kohë kur Moska vazhdon agresionin e saj të paprovokuar dhe të pajustifikueshëm ndaj Ukrainës.
Vuçiç, duke folur për gazetarët në Moskë, tha se është i vetëdijshëm për reagimet që vizita e tij do të shkaktojë në Bruksel, por shtoi se ai është i gatshëm të përballojë pasojat personale.
“Nëse dikush duhet ta paguajë çmimin e kësaj vizite, ai do të jem unë, jo shteti,” – theksoi Vuçiç, duke shtuar se Serbia do të vazhdojë rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ai gjithashtu paralajmëroi se do të japë një përgjigje të matur dhe serioze ndaj kritikave që priten nga BE-ja për këtë veprim, duke lënë të kuptohet se Serbia nuk do të ndryshojë orientimin e saj strategjik pavarësisht presionit nga Perëndimi.