Krimet zgjedhore nën hetim nga SPAK, paralajmërimi i avokatit: Pritet të ketë arrestime edhe në qarkun Lezhē

Situata e tensionuar politike dhe akuzat e përsëritura për krime zgjedhore kanë vënë në lëvizje strukturat e drejtësisë. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, ka mbërritur sot në Lezhë, ku ka zhvilluar një takim të posaçëm me task-forcën për krimet zgjedhore, në të cilin kanë marrë pjesë edhe drejtues të policisë lokale dhe përfaqësues të institucioneve të tjera ligjzbatuese.

Sipas burimeve, pritet që nga sonte deri të hënën të ketë arrestime të personave të përfshirë në veprimtari kriminale zgjedhore, si nga radhët e mazhorancës ashtu edhe të opozitës. Ky veprim vjen pas paralajmërimeve të përsëritura se drejtësia nuk do të tolerojë ndërhyrjet kriminale në procesin zgjedhor.

Avokati Gjovalin Laska ka paralajmëruar se priten kontrolle në disa zona të qarkut Lezhë dhe përtej, përfshirë Kallmetin, qytetin e Lezhës, Shënkollin, Rrëshenin, Milotin, Mamurrasin, Fushë-Milotin, qytetin e Laçit, Fushë-Mamurrasin dhe Shëngjinin. Objekt hetimi do të jenë gjithashtu disa institucione publike si bashkitë, këshillat bashkiakë, ndërmarrjet e ujësjellësit dhe spitalet.

“Udha e mbarë kush nuk ka sy e veshë dhe del kundër,” – është mesazhi i fortë i avokatit Laska, duke lënë të kuptohet se drejtësia do të veprojë pa dallim dhe pa mëshirë ndaj çdo shkelësi të ligjit.