Raporti i OKB: Shqipëria, vend kyç për pastrimin e parave nga rrjetet kriminale kineze dhe aziatike
Një raport i fundit i Kombeve të Bashkuara ka ngritur alarmin për rolin gjithnjë e më të rëndësishëm që Shqipëria po luan në skemat globale të pastrimit të parave.
Sipas OKB-së, vendi ynë është shndërruar në një territor të favorshëm për grupet kriminale të Azisë Lindore, veçanërisht ato kineze dhe vietnameze, që përdorin Shqipërinë për të legalizuar të ardhurat e përfituara nga aktivitetet e paligjshme si droga, evazioni fiskal dhe prostitucioni.
Raporti tregon se profesionistët e pastrimit të parave nga Azia operojnë në disa vende europiane, duke përfshirë Shqipërinë, Francën, Gjermaninë, Irlandën, Italinë, Lituaninë, Spanjën dhe Britaninë e Madhe. Këto rrjete kriminale përdorin metoda të sofistikuara, që shpesh shmangin sistemet bankare tradicionale, për të mos lënë gjurmë.
Skema funksionale: nga Meksika te Shqipëria përmes rrjeteve kineze
Një nga shembujt e përshkruar në raport lidhet me një kartel meksikan që i dorëzon 350 mijë dollarë një korrieri të rrjetit “Xizhi Li”, i cili është një biznesmen kinez me shtetësi amerikane. Paratë e gatshme ndërrohen për monedhën vendase në Meksikë dhe i transferohen më pas rrjeteve që operojnë në shtete të ndryshme, përfshirë edhe Shqipërinë. Për këtë shërbim, organizata e Li përfiton komisione që variojnë nga 2% deri në 10%.
Një pjesë e rëndësishme e skemës përfshin përdorimin e pasurive të paluajtshme dhe bizneseve tregtare për të futur paratë e pista në ekonominë legale. Paratë e krimit, tashmë të konvertuara dhe të pastruara, përdoren për investime në prona ose për pagesa të mëdha, si arsimimi në SHBA.
Shqipëria nën lupën ndërkombëtare
Fakti që Shqipëria përmendet specifikisht në këtë raport tregon rritjen e shqetësimit ndërkombëtar për përfshirjen e saj në rrjete të mëdha kriminale transnacionale. Sipas raportit, jo vetëm që territori shqiptar përdoret për pastrimin e parave, por gjithashtu dyshohet se në vend operojnë kompani të kontrolluara nga rrjete kriminale të huaja.
Raporti nënvizon se krimi i organizuar në Azinë Juglindore po zhvillohet me ritme të frikshme, veçanërisht që nga fillimi i prodhimit të drogës sintetike dhe metamfetaminës në Shan State, Mianmar. Këto organizata përdorin teknologji të avancuar për mashtrime në internet, skema me kriptovaluta dhe operojnë “banka” të paligjshme që ndihmojnë në qarkullimin e miliarda dollarëve.