Mjerimi ulet këmbëkryq/ Historia tronditëse e familjes Doku në Krujë…
E tillë është gjendja e familjes së Dashamir Dokut në fshatin Barkanesh të Krujës. Mjaft e dhimbshme, teksa kjo familje përjeton kushte kritike, ajo që është më e rëndë janë dy fëmijët e mitur.
Familja Doku në Barkanesh duket se është harruar nga institucionet, ndërsa dhe të afërmit janë të pamundur të japin ndihmë. Prej vitesh, kalvari i vuajtjeve dhe mjerimi i plotë është prezent në këtë familje.
Dashamiri, 50-vjeçari kryefamiljar, është i paralizuar dhe prej vitesh qëndron në këtë dhomë, në të cilën jetojnë dhe vajza e madhe e divorcuar, së bashku me dy fëmijët e mitur. Bashkëshortja e Dashamirit duhet të kujdeset për të vegjlit e vajzës së divorcuar, pasi është e vetmja që siguron të ardhurat për familjen. Vajza e madhe është e punësuar në një fasoneri në Krujë, ndërsa me të ardhurat e saj duhet të ushqehen të gjithë familja.
View this post on Instagram
Janë gjashtë persona të kësaj familje që jetojnë në një dhomë të vetme. Dritaret janë të veshura me plastikë, erërat depërtojnë brenda ambienteve të dhomës, dhe të vegjlit kanë kaluar dimrin nëpër spitale. Në të njëjtën çati të kësaj familje jetojnë dhe dy prindërit e moshuar të Dashamirit.
Ata janë të pafuqishëm t’ju vijë në ndihmë djalit të tyre të paralizuar dhe mbesës së divorcuar me dy fëmijët. Dy të moshuarit, rreth 80 vjeç, me të ardhurat e vogla nga pensioni i tyre, duhet të kujdesen me sa mundin për djalin e tyre të paralizuar dhe familjen e tij, por është e pamundur t’ju vijë në ndihmë me të ardhurat nga pensioni i pleqërisë.
Në fshatin Barkanesh kanë mbetur pak familje, nga mungesa e infrastrukturës rrugore, ndonëse është një fshat me resurse dhe natyrë të mrekullueshme, premtues për zhvillim nga pemëtaria dhe kultivimi i agrumeve dhe ullinjve.
View this post on Instagram
Familja e Dashamir Dokut është dorëzuar, ata janë të pamundur të punojnë në arat e tyre dhe mendojnë të sigurojnë kafshatën e gojës nga puna në fasonerinë e vajzës së divorcuar me dy fëmijët e mitur.
Rasti i familjes Doku në Barkanesh të Krujës konsiderohet ndër më të rëndët. Një familje e cila përcjell apelin e saj institucioneve për t’iu kthyer vëmendjen dhe ndërhyrë menjëherë.
Familja e Dashamirit, të paralizuarit, bashkëshortes së tij gjithashtu me probleme shëndetësore, dy fëmijëve të vajzës së madhe të divorcuar, është një familje e pashpresë që ka rënë në këtë mjerim që ka zënë vend këmbëkryq.