Mediat italiane: Italia nis 40 emigrantë drejt Gjadrit, mungon transparenca për kombësitë dhe kohën e transferimit
Të enjten, më 11 prill, pritet që 40 emigrantë të nisen nga Italia drejt Shqipërisë, për t’u sistemuar në kampin e Gjadrit në Lezhë. Sipas mediave italiane, ata do të nisen nga kampi në Brindizi me anijen “Libra”, në një përpjekje të katërt të autoriteteve italiane për të transferuar emigrantë përtej Adriatikut, sipas marrëveshjes dypalëshe të nënshkruar me Tiranën.
Kësaj here transferimi mund të zhvillohet pa pengesa, falë dekretit të miratuar më 28 mars, i cili lejon zhvendosjen në Shqipëri jo vetëm të azilkërkuesve, por edhe të emigrantëve të parregullt që kanë marrë dekret dëbimi nga policia italiane dhe për të cilët një gjykatës ka verifikuar ligjshmërinë e qëndrimit të tyre në kamp jashtë territorit italian.
Megjithatë, organizatat për të drejtat e njeriut dhe politikanë opozitarë kanë ngritur shqetësime për mungesën e transparencës. “Ka një paqartësi të madhe,” u shpreh aktivisti i ActionAid, Francesco Ferri, pas një vizite në kamp. Ai theksoi se me ndryshimin e menaxhimit të strukturës, është rritur edhe pasiguria dhe mungesa e informacionit.
Deputetja demokrate Rachele Scarpa, e cila kryesoi një delegacion vizitor në objekt, shtoi: “Nuk dimë kur do të mbërrijnë këta persona, nga cili kamp vijnë apo çfarë kombësie kanë. E vetmja gjë e konfirmuar është numri i tyre, 40, siç ka njoftuar ministri Piantedosi.”
Përplasjet politike shoqërohen edhe me zhvillime juridike. Avokati i Përgjithshëm i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, Richard de la Tour, vlerësoi se një shtet anëtar mund të caktojë një vend të tretë si të sigurt, por theksoi se duhet të paraqesë burimet mbi të cilat mbështetet ky vlerësim, në mënyrë që gjykatat të mund të shqyrtojnë ligjshmërinë. Vendimi final i Gjykatës pritet nga fundi i majit ose fillimi i qershorit.
Ndërkohë, në Gjadër po bëhen përgatitjet për të pritur të ardhurit. Aktualisht kapaciteti i kampit është për 48 persona, por sipas autoriteteve shqiptare dhe italiane, do të rritet në 144. Drejtori qendror i Policisë Kufitare dhe Emigracionit në Itali, Claudio Galzerano, mbrojti këtë vendim, duke e cilësuar si një mundësi për të shtuar kapacitetet për procesin e njohjes konsullore dhe riatdhesimin e emigrantëve të parregullt.
Ai theksoi se në Itali ekzistojnë 10 qendra për riatdhesim (CPR), me një kapacitet teorik prej 1,400 vendesh, por vetëm rreth 700 janë aktualisht funksionale për shkak të dëmtimeve të shpeshta. “Një në dy persona të ndaluar në CPR riatdhesohet,” shtoi ai.
Në Gjadër, ndërsa përgatitjet vijojnë, moti ka sjellë reshje mbi strukturën e sigurisë së lartë. Në skaj të kampit, një fermer që punon tokën nën shiun e dendur, mbetet simbol i një kontrasti të fortë: një jetë pa gardhe, pranë një strukture të mbushur me tela.