Prej dy javësh, këngëtarja e njohur Parashqevi Simaku ndodhet në një spital psikiatrik në New York, pas një krize të rënduar që pësoi pas takimit me djalin e saj, Luke. Lajmin e ka bërë publik biznesmeni Elton Ilirjani, i cili ka qenë pranë artistes dhe ka treguar detaje për gjendjen e saj.
Sipas Ilirjanit, kriza filloi menjëherë pas takimit me të birin, duke nxjerrë në pah një anë të artistes që nuk ishte parë më parë. “Parashqevia nuk flet arsyeshëm, ka fiksime dhe kërkesa të pashpjegueshme, dhe nuk është në gjendje të përballojë jetën e saj të përditshme,” tha ai në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale.
Ky nuk është rasti i parë kur Simaku përballet me sfida të shëndetit mendor. Dy vite më parë, kolegë dhe shqiptarë në SHBA e gjetën në rrugët e New York-ut dhe tentuan ta ndihmonin duke e çuar në një qendër shëndetësore. Megjithatë, ajo refuzoi ndihmën dhe u largua nga qendra menjëherë pas shtrimit.
Edhe tani, këngëtarja vijon të refuzojë mjekimin, duke e bërë të pamundur për personat që i qëndrojnë pranë ta ndihmojnë. Ligjet në shtetin e New York-ut nuk lejojnë mjekimin kundër dëshirës, përveçse me një vendim gjykate.
E ardhmja e Parashqevi Simakut do të vendoset nesër në një seancë gjyqësore, ku gjykata pritet të vendosë nëse ajo do të trajtohet me ilaçe kundër dëshirës së saj. Elton Ilirjani shprehu shqetësimin se, nëse ajo lirohet pa u trajtuar, situata mund të përkeqësohet dhe këngëtarja mund të përfundojë sërish në rrugë.
“Parashqevia ka nevojë për dashuri dhe mbështetje, jo vetëm për para,” tha Ilirjani, duke theksuar se komuniteti shqiptar dhe njerëzit e afërt po bëjnë të pamundurën për ta ndihmuar. Ai theksoi se përmirësimi i saj do të jetë i mundur vetëm nëse ajo pranon mjekimin.
Parashqevi Simaku, e njohur si një nga zërat më të dashur të muzikës shqiptare, po kalon një nga momentet më të vështira të jetës së saj. Situata ka prekur jo vetëm familjarët, por edhe fansat e shumtë që e kanë mbështetur ndër vite.
Të gjithë sytë janë tashmë nga seanca gjyqësore e nesërme, që do të përcaktojë trajtimin dhe të ardhmen e artistes së njohur.