E vërteta e kontrolleve në Vlorë/ Nga përplasja me policinë e deri tek kërkimet në “terr”
Ishtë ora 18 e datës 22 shkurt 2023. Vëmendja e bluve u përqendrua në Vlorë. Në një nga zonat më të përfolura sa i takon rekordeve kriminale. Pikërisht në këtë orë, në lagjen Pavarësia lëvizte automjeti tip ‘Toyota’, në të cilin udhëtonin disa shtetas. Në njoftimin e policisë së Vlorës, dhënë ditën e djeshme, thuhej se një makinë u ndalua në kuadër të një plani masash. Pra, ishte një postobllok i ngritur enkas për të ndaluar automjete që pretendonin se lëviznin persona të dyshimtë.
Por burimet i thanë ‘replika.al’ se në atë orë në atë zonë nuk ka pasur asnjë postobllok të ngritur. Por kanë qenë disa automjete policie që ndiqnin nga pas Toyota-n. Duke vënë re që po ndiqeshin, mesa duket personat që lëviznin në të kanë vendosur të ndalohen.
Pas ndalesës, ka pasur një përplasje të ashpër mes personave që ndodheshin tek Toyota dhe policisë së Vlorës. Deri edhe në fizike. Madje, thonë burimet, konflikti ka shkuar deri aty sa një prej personave të shpallur në kërkim, ka marrë edhe çelësin e mjetit të policisë. Me të kryer këtë veprim janë larguar në drejtim të lagjes së tyre.
Vetëm dy orë më pas, bluve të Vlorës ju bashkuan edhe forca nga Fieri e Tirana, me qëllim ushtrimin e kontrolleve në banesat e personave që lëviznin në automjet. Kontroll i cili për fat të keq u krye në terr të plotë, pasi në lagjen më të famshme në Vlorë, ikën dritat.
Pra, në komunikatën e policisë mungojnë këto detaje, dhe DVP Vlorë nuk denjoi aspak t’iu jepte përgjigje pyetjeve që mund të ngrejë çdo qytetar shqiptar, botuar nga portali ynë. ( Shkrimi i botuar dje)
Nuk ka pasur asnjë postobllok. Por ka pasur një takim nëse mund ta quajmë kështu mes punonjësve të policisë dhe personave që ose janë në kërkim apo personit që u arrestua. Kështu, është bërë i mundur edhe identifikimi i tyre.
Nga ana tjetër nuk sqarohet as se në pronësi të kujt ishte ky mjet. Dhe për më tepër, policia ka harruar një detaj shumë të rëndësishëm, që automjeti ishte i blinduar. Nuk është sqaruar as nëse automjeti është marrë në cilësinë e provës materiale.
Pra kemi të bëjmë me një komunikatë shumë të vakët, dhe të ndërtuar mjaft keq, por mbi të gjitha, me informacione të pavërteta, një akt shumë i rëndë ky për një institucion të tillë.
Nuk dihet ende arsyeja se përse këto detaje mbahen të fshehta, teksa në komunikatë thuhen të tjera gjëra. Megjithatë, meqenëse operacioni vijon, presim për dhënien e këtyre detajeve mjaft të rëndësishme.
Kujtojmë se një ditë më parë u vu në pranga Denis Karafili, ndërsa u shpallën në kërkim 4 shtetas të tjerë, mes tyre edhe një emër mjaft i njohur, Inez Hajrulla.
Emri i Inez Hajrullës është mjaft i njohur për shkak se ka qenë shpesh shënjestër e atentateve në Vlorë. Ai i ka shpëtuar një atentati më 10 maj të 2019-ës në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë.
Ai u ka shpëtuar më parë dhe dy atentateve të tjera në Vlorë. Inez Hajrullës i është bërë atentat me tritol edhe në vitin 2017. Ai ka qenë dy herë i arrestuar për armëmbajtje pa leje, i akuzuar edhe për grabitjen e një kazinoje në vitin 2013. Hajrulla është shoqëruar dhe hetuar edhe për pengmarrjen dhe zhdukjen e Elvis Troqes. Lokali ku ndodhi në zonën që frekuentohej nga Edison Harizaj i vrarë në Durrës në 2018-ën. 27-vjeçari Hajrulla, djalë i biznesmenit vlonjat, Robert Hajrulla, njihet si person me rrezikshmëri në Vlorë.
Gjithashtu nga gjykata e Vlorës Hajrulla është dënuar në 5 shkurt 2018 me 2 vite burgim për akuzën e “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Por ky dënim me burgim është pezulluar duke e kaluar Inezin në shërbim prove. Por në 28 dhjetor 2018 Inez Hajrulla dënohet sërish nga gjykata e Vlorës me 8 muaj burgim për akuzën e “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Nga ana e policisë në 18 korrik 2018, një ditë pas zhdukjes së Troqes, është shkuar në banesën e shtetasit Inez Hajrulla (Ini), ku ky shtetas është gjetur në banesë me paterica dhe me një këmbë. Ai u pyet në lidhje me rrethanat e hetimit, ku ka shpjeguar se më datë 17 korrik 2018, ka qenë në banesën e tij dhe rreth orës 16:30 ka dalë nga banesa ku ka ardhur dhe e ka marrë Denis Karafilin (i arrestuar) me automjetin “Golf 5” ngjyra e zezë dhe ka shkuar për të bërë fizioterapi, tek një klinik private në vendin e quajtur mbas “Market Conad”.