Teksa flasim për drejtësi të re, teksa flasim për sistem gjyqësor të pa korruptuar para syve na shfaqet një rast i paprecedent, pikërisht ai i mjekut kardiokirurg, Dervish Hasi, i cili u akuzua nga Prokuroria e Tiranës për marrëdhënie seksuale me të mitur dhe poligami.
Vetëm pak ditë më parë, në Komisariatin numër 1 në Tiranë ka mbërritur një tjetër shqetësim nga familjaret e 16-vjeçares që 42-vjeçari e prezantonte si bashkëshorten e tij të katërt, duke treguar se Dervish Hasi pas 10 muajsh në mënyrë të dyshimtë ka lënë qelinë, pasi mjeku për këtë vepër penale duhet të vuante deri në 15 vite dënim.
Mjeku në Sanatoriumin e Tiranës u arrestua nga Komisariati nr. 1 në Tiranë pasi akuzohet që prej 2 vitesh ka abuzuar dhe shfrytëzuar një vajzë të mitur, tani 16 vjeçe. 42 vjeçari e prezantonte si gruan e tij të katërt, pasi 3 gra i kishte në shtëpi.
Hasi i cili njihet si besimtar mysliman, kishte edhe 3 gra të tjera, të cilat i mbante në banesën e tij, nën justifikimin e besimit. Vajza e mitur, shkonte në shtëpinë e mjekut Hasi në intervale kohore prej 3 deri në 4 ditë dhe për një periudhë prej 2 vitesh dyshohet se është kryer marrëdhënie seksuale në mënyrë të rregullt me të.
Fillimisht në drejtim të policisë mbërriti një denoncim për shfrytëzimin e saj për prostitucion, teksa menjëherë blutë arritën të sigurojnë prova të plota përmes përgjimeve dhe komunikimeve që vajza e mitur ka kryer me 42-vjeçarin Hasi dhe një grup chat-i në të cilin flisnin dhe ndanin video intime të gjithë, bashkë më gratë e tjera të mjekut.
Në dëshminë e tij para hetuesve, mjeku Hasi ka deklaruar se e mitura ka shkuar në shtëpinë e tij me dëshirën e saj dhe asnjëherë nuk është marrë me dhunë. Gjithsesi, mbi të rëndon akuza e shfrytëzimit të prostitucionit me një të mitur, vepër penale që dënohet deri në 15 vite burg.
Por, kjo shifër jo vetëm nuk është plotësuar nga Hasi në qeli, por e ka përmbushur me vetëm 10 muaj burg. Dënim qesharak, që ngre pikëpyetje të mëdha se si Hasi i kirurgjisë ka qëndruar kaq pak kohë pas hekurave për një vepër të rëndë penale. Për më tepër Hasi është një person i njohur për policinë. Me profesion mjek, ai ka qenë edhe i hetuar nga SPAK. Prokuroria e Posaçme kishte dyshime se mjeku ishte i përfshirë në grupin që furnizonte me tritol dhe armë snajper kriminelë brenda dhe jashtë vendit.
Në 22 janar 2019 iu hodh në erë makina të cilën e kishte të parkuar në rrugën “Belul Hatibi”. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:40. Policia sqaron se makina tip “Benz ML” me targa AA 441 OO, ishte në pronësi të Dervish Hasit, që në atë kohë mësoi se ai punonte në një Spital privat.
Në 2021 ai rezultoi të jetë pjesë e grupit të mjekëve që organizuan operacionin e parë në zemër në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” si qendër e dytë e kardiokirurgjisë të spitaleve publike.
Ogerta Manastirliu e cila atëherë mbante postin e ministres së Shëndetësisë, tani të Arsimit, publikoi foton nga grupi i mjekëve që kishin marrë pjesë në operacion.