Seanca në GJKKO për Veliajn, mbështetësit mblidhen sërish para gjykatës/ Kryebashkiaku përplaset me prokurorin dhe kërkon tërheqjen e tij

Mbështetësit e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, janë mbledhur sërish para ambienteve të Gjykatës së Posaçme (GJKKO), ku po zhvillohet seanca ndaj tij, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe 6 biznesmenëve.

Seanca nisi që në orën 08:30 dhe po zhvillohet me dyer të mbyllura. Burime nga brenda seancës raportojnë për një përplasje verbale mes Veliajt dhe prokurorit të çështjes, Ols Dado. Veliaj është shprehur se prokurori e ka personale me të dhe ka kërkuar që ai të tërhiqet nga çështja.

Gjatë kohës kur Veliaj po mbante fjalën e tij, gjyqtari Erjon Bani i ka tërhequr disa herë vëmendjen kryebashkiakut, duke i kërkuar të ulë tonin dhe të ruajë solemnitetin e sallës së gjyqit.

SPAK ka dalë me një njoftim zyrtar për masat e sigurisë ndaj Erion Veliajt, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe pesë biznesmenëve të tjerë.

Erion Veliaj akuzohet për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Ndërkohë, Ajola Xoxa përballet me akuza për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Refuzimi për deklarimin, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive”.

Në seancën e sotme, po diskutohet edhe rivlerësimi i masave të sigurisë për të akuzuarit. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa mbështetësit e kryebashkiakut qëndrojnë ende pranë ambienteve të gjykatës.