Rama: Shqiptarët s’do shkojnë më nga halli për trajtim në Turqi, do ndërtojmë spitale të reja me ndihmën e Italisë dhe Emirateve
Kryeministri Edi Rama ka premtuar ndërtimin e spitaleve të reja dhe modernizimin e sistemit shëndetësor deri në vitin 2030, duke theksuar se shqiptarët nuk do të kenë më nevojë të kërkojnë trajtim jashtë vendit, veçanërisht në Turqi.
Gjatë një takimi në Tiranë me asambletë socialiste të disa njësive, Rama tha se shëndetësia ka bërë përparime të mëdha dhe synimi është që deri në vitin 2030 të garantohet një sistem shëndetësor që i plotëson të gjitha nevojat e qytetarëve.
“Kemi në plan për spitale të reja të nivelit të lartë, me ndihmën e Italisë dhe Emirateve të Bashkuara. Nuk do të ndodhë më që shqiptarët të shkojnë nga halli në Turqi për trajtim, sepse në vitin 2030 do t’i kenë të gjitha këtu,” deklaroi Rama.
Kryeministri theksoi gjithashtu se qeveria ka krijuar 3 mijë mjekë specialistë dhe se investimet në shëndetësi po rriten falë besimit që Shqipëria ka fituar te partnerët ndërkombëtarë.
Në fund të fjalës së tij, Rama u ndal edhe te reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit, duke u shprehur se Partia Socialiste ka meritën kryesore për ngritjen e një sistemi të ri drejtësie.