Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas protestës së zhvilluar para Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku një grup punonjësish të Bashkisë së Tiranës dhe policë bashkiakë dolën në mbështetje të kryebashkiakut Erion Veliaj. Veliaj ishte i pranishëm në Gjykatën e Posaçme për rivlerësimin e masës së sigurisë ndaj tij.
Berisha u shpreh se punonjësit e Bashkisë braktisën detyrat e tyre gjatë orarit zyrtar për të marrë pjesë në protestë, ndërsa paralajmëroi masa të ashpra ndaj tyre. Ai shtoi se po hetohet nëse policët bashkiakë ishin të armatosur gjatë protestës.
Sali Berisha: “I patë sot punonjësit e Bashkisë te SPAK-u i partisë. Ata paguhen nga taksat e qytetarëve për t’u shërbyer qytetarëve, por braktisin punën dhe shkojnë për t’u bërë mburojë e një hajduti. Jemi duke hetuar nëse ishin të armatosur. I paralajmëroj të gjithë: kushdo që del në protesta gjatë orarit zyrtar, nuk do të shohë punë shteti për të paktën 25 vite.”
Berisha gjithashtu akuzoi qeverinë dhe policinë për mbështetje të paligjshme të protestuesve, ndërsa shtoi se qytetarët që festuan arrestimin e Veliajt u ndaluan nga autoritetet.
Protesta në mbështetje të kryebashkiakut Veliaj u zhvillua në orët e para të ditës së sotme para Prokurorisë së Posaçme, ndërsa ndaj policëve bashkiakë dhe punonjësve të Bashkisë pritet të nisin hetime administrative dhe penale.