Nga 1 marsi shpërndahet bonusi i pranverës për pensionistët, ja kategoritë që përfitojnë

Duke nisur nga data 1 mars, të gjithë pensionistët do të marrin bonusin e pranverës bashkë me pensionin mujor. Kryeministri Edi Rama konfirmoi shpërndarjen e shpërblimit, duke hedhur poshtë zërat për një tërheqje nga ky vendim.

“Jo vetëm që unë nuk gënjej, por flas me përgjegjësi të plotë për detyrën që më ka dhënë populli. Ata që përhapën lajmin se nuk do ketë bonus për pensionistët, thjesht luajtën me nervat e tyre. Ta gëzojnë pensionistët dhe Zoti paftë e bëftë për ata që përhapin dezinformata,” – deklaroi Rama.

Sa është bonusi dhe kush përfiton?

Vendimi i Këshillit të Ministrave, miratuar më 9 janar, parashikon shpërndarjen e bonusit për 730,430 pensionistë:
• 10,000 lekë për 520,443 pensionistë që marrin më pak se 20,000 lekë në muaj.
• 5,000 lekë për 209,987 pensionistë me pension më të lartë se 20,000 lekë.

Në skemën e mbështetjes financiare përfshihen gjithashtu familjet që trajtohen me Ndihmë Ekonomike, Personat me Aftësi të Kufizuara dhe kategori të tjera që përfitojnë pensione.

Pensionet që përfitojnë bonusin:

✅ Pensionet e pleqërisë
✅ Pensionet e kooperativave
✅ Pensionet sociale
✅ Pensionet e invalidëve të luftës
✅ Pensionet e caktuara me dekret
✅ Pensionet e caktuara nga sigurimet shoqërore
✅ Pensionet suplementare
✅ Pensionet e familjeve të pilotëve që humbin jetën
✅ Pensionet e oficerëve
✅ Pensionet e minatorëve
✅ Pensionet e punonjësve në nëntokë
✅ Pensionet e ushtarakëve
✅ Pensionet e akademikëve
✅ Pensionet e personave që kryejnë funksione kushtetuese
✅ Pensionet e invalidëve
✅ Pensionet e veçanta
✅ Pensionet për fëmijët në përkujdesje të shtetit

Afatet e pagesës

Bonusi do të kalojë në llogaritë e pensionistëve gjatë muajit mars. Në rastet kur pagesat nuk kryhen brenda këtij muaji, ato do të bëhen deri më 30 shtator 2025. Nëse nuk tërhiqet deri më 30 shtator 2030, bonusi do të parashkruhet.

Qeveria ka alokuar një fond prej 6.3 miliardë lekësh për këtë shpërblim, si një masë për të mbështetur pensionistët dhe grupet e tjera në nevojë.