Ndahet nga jeta bashkëshortja e Sandër Lleshajt, ish-ministri jep lajmin e hidhur

Një humbje e madhe ka prekur familjen e ish-ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili ka njoftuar ndarjen nga jeta të bashkëshortes së tij, Violeta Lleshaj.

Lajmin e trishtë, Lleshaj e bëri të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shkroi: Violeta, bashkëshortja ime dhe nëna e fëmijëve të mi, pushoi në paqen e Zotit, duke na lënë të mbuluar me pikëllim të thellë, por edhe me dashurinë, nderin, dinjitetin dhe fisnikërinë e saj të pafundme.

Nderimet e fundit për të ndjerën do të kryhen pranë Shtëpisë së Funeraleve ALBA 2000, në Rrugën e Durrësit në Tiranë, duke filluar nga ora 11:00 e datës 3 shkurt 2025.

Varrimi do të zhvillohet një ditë më pas, më 4 shkurt 2025, në Varrezat e Maminasit, në orën 12:00.