Apeli lë në burg dy vëllezërit e akuzuar për vrasjen e Ramazan Matajt në Shkodër

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka lënë në fuqi masën “arrest në burg” për dy vëllezërit e akuzuar për vrasjen e Ramazan Matajt në fshatin Dragoç, Shkodër.

Ngjarja ndodhi më 5 janar 2025, kur viktima u gjet i vrarë brenda një automjeti tip Benz. Të dyshuar për vrasjen janë A. H. dhe K. H., të cilët u arrestuan nga policia më 7 janar 2025.

Apeli shqyrtoi kërkesën e K. H., i cili kërkoi një masë sigurie më të butë, por Gjykata e Apelit e refuzoi ankesën dhe la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, duke i mbajtur në burg dy vëllezërit.

Ata akuzohen për veprat penale:
• A. H.: “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”.
• K. H.: “Sigurimi i kushteve për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje e armëve” dhe “Pengimi i zbulimit të së vërtetës”.

Me këtë vendim, dy të akuzuarit do të qëndrojnë në paraburgim derisa gjykimi të përfundojë.