Sistemi gjyqësor në Vlorë po përballet me një krizë të thellë, për shkak të mungesës së gjyqtarëve dhe zvarritjes së çështjeve gjyqësore për vite me radhë. Kreu i Dhomës së Avokatisë në Vlorë, Durim Bajrami, e cilëson situatën si shumë problematike, duke theksuar se reforma në drejtësi dhe harta e re gjyqësore kanë rënduar edhe më tej gjendjen.
Aktualisht, në Gjykatën e Shkallës së Parë në Vlorë duhet të jenë 16 gjyqtarë, por janë vetëm 13, çka ka sjellë vonesa të mëdha në shqyrtimin e dosjeve.
Sipas Bajramit, qytetarët detyrohen të udhëtojnë drejt Tiranës dhe Lushnjës për procese gjyqësore, pasi në Vlorë nuk funksionojnë më as Gjykata e Apelit dhe as Gjykata Administrative. Si pasojë, shumë çështje mbeten pezull për vite dhe ka raste kur pala paditëse ka ndërruar jetë pa marrë drejtësi.
Përveç vonesave, qytetarët po përballen me kosto të larta ekonomike për shkak të udhëtimeve dhe shpenzimeve shtesë. Kjo ka krijuar një mungesë të theksuar besimi te sistemi i drejtësisë, ndërsa pritshmëritë për një përmirësim të situatës mbeten ende të paqarta.