Si nëpër filma! Sulm me 100 plumba në Malësinë e Madhe, dy persona me motor qëllojnë ndaj familjes Kurtaj

Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Gruemirë, ku dy persona të maskuar dhe të armatosur kanë hapur zjarr me automatik në drejtim të tre anëtarëve të familjes Kurtaj nga fshati Linaj.

Sipas raportimeve, sulmi nisi në orët e para të mëngjesit të 1 shkurtit, kur dy personat e panjohur që po lëviznin me motor qëlluan me shotgan kamerat e sigurisë të vendosura pranë banesës së familjes Kurtaj, të cilat shërbenin për të monitoruar bagëtitë e tyre.

Më vonë, gjatë pasdites rreth orës 18:00, dy personat e armatosur janë rikthyer në zonë. Në atë moment, Mirsad, Besim dhe Edison Kurtaj, të cilët po prisnin kthimin e tyre, kanë tentuar t’i ndalojnë për t’i pyetur mbi sulmin ndaj kamerave. Megjithatë, dy të panjohurit vijuan rrugën me motor.

Tre anëtarët e familjes Kurtaj kanë ndjekur motorin me një automjet për të kuptuar se kush ishin personat e armatosur. Në atë moment, autorët kanë hapur zjarr me automatik kallashnikov, duke shkrepur rreth 100 plumba përgjatë një ndjekjeje që zgjati rreth 10 minuta.

Gjatë përplasjes, një nga personat e armatosur është rrëzuar nga motori dhe ka vijuar të qëllojë nga një arë, ndërsa shoku i tij ka vijuar sulmin duke u larguar në drejtim të paditur.

Fatmirësisht, tre anëtarët e familjes Kurtaj nuk kanë pësuar lëndime, por ngjarja ka shkaktuar panik tek banorët e zonës, të cilët kanë dëgjuar të shtënat masive.

Pas sulmit, Mirsad, Besim dhe Edison Kurtaj kanë dhënë dëshminë e tyre në Komisariatin e Policisë Malësi e Madhe, duke deklaruar se nuk kanë asnjë ide se kush mund të jenë personat që i kanë sulmuar.

Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për të identifikuar dhe arrestuar autorët e këtij sulmi të rëndë, i cili ka terrorizuar banorët e fshatit Gruemirë.