Tragjedia në Shkodër/ Prokuroria kërkon 6 vite burg për bashkëshortin e Alma Arrazit, e cila u mbyt në lumë me tre fëmijët

Prokuroria e Shkodrës ka kërkuar 6 vite burg për Erdgys Arrazin, bashkëshortin e Alma Arrazit, e cila në maj të vitit të kaluar u vetëvra duke u hedhur në lumë bashkë me tre fëmijët e saj.

Sipas organit të akuzës, sjelljet e Erdgys Arrazit kanë çuar në diskreditimin e dinjitetit të Almës, duke e detyruar atë të ndërmerrte aktin tragjik. Meqenëse i pandehuri ka pranuar gjykimin e shkurtuar, dënimi pritet të ulet në 4 vite burg.

Hetimet kanë konfirmuar se autorja e vrasjes së tre fëmijëve është vetë Alma Arrazi, e cila vendosi t’i japë fund jetës bashkë me ta. Për këtë arsye, Prokuroria ka pushuar akuzën për vrasje, pasi nuk ka prova që ndonjë person tjetër të ketë qenë i përfshirë.

Pas kërkesës së Prokurorisë për dënimin e Erdgys Arrazit, pritet që avokatët e tij të paraqesin mbrojtjen, ndërsa Gjykata e Shkodrës do të japë vendimin përfundimtar për këtë ngjarje të rëndë që tronditi mbarë opinionin publik.