Masakër në Kashmir/ Rreth 30 turistë të vrarë në një atentat terrorist

Një sulm i përgjakshëm ka tronditur rajonin e Kashmirit në Indi, ku rreth 30 turistë kanë humbur jetën si pasojë e një atentati të armatosur të ndodhur në mesditën e së martës në zonën turistike të Pahalgamit, vetëm 55 milje larg kryeqytetit rajonal Srinagar.

Sipas autoriteteve indiane, të paktën 24 persona janë konfirmuar të vdekur deri tani, ndërsa burime lokale paralajmërojnë se bilanci mund të rritet deri në 30 viktima. Sulmi ndodhi rreth orës 14:30, kur një grup i armatosur i përbërë nga dy deri në tre persona ndaluan një grup turistësh dhe, pasi u kërkuan të identifikohen, hapën zjarr në mënyrë brutale.

Pamjet rrëqethëse të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë skena kaotike, me trupat e plagosur të shtrirë në tokë dhe të afërm që luteshin në dëshpërim për ndihmë.

Kryeministri i rajonit të Jammu dhe Kashmir, Omar Abdullah, e cilësoi këtë si “sulmin më të rëndë ndaj civilëve në vitet e fundit” dhe theksoi se numri i viktimave mund të rritet. Në një reagim të fortë emocional, ai deklaroi: “Ky sulm ndaj vizitorëve tanë është i neveritshëm. Autorët janë çnjerëzorë, kafshë, dhe të denjë për përbuzje.”

Policia dhe forcat speciale indiane janë vënë menjëherë në ndjekje të autorëve, ndërsa e gjithë zona është futur në gjendje të lartë alarmi. Hetimet janë duke vijuar për të zbardhur identitetin e sulmuesve dhe motivet që qëndrojnë pas këtij akti makabër.