Mrekulli mjekësore në Britani! Foshnja “lindi dy herë”
Një histori e rrallë dhe prekëse ka tronditur emocionet në Britaninë e Madhe, ku një foshnje u “lind” dy herë për të shpëtuar jetën e nënës së tij. Lucy Isaac, një mësuese nga Oksfordi, u diagnostikua me kancer ovarian në javën e 12-të të shtatzënisë gjatë një kontrolli rutinë. Por ajo që pasoi ishte një ndërhyrje mjekësore e jashtëzakonshme që tronditi edhe vetë ekipin mjekësor.
Kur Lucy ishte në javën e 20-të të shtatzënisë, mjekët në spitalin John Radcliffe vlerësuan se vonesa e trajtimit do të rrezikonte seriozisht jetën e saj, pasi kanceri mund të përhapej me shpejtësi. Zgjidhja e vetme ishte një operacion i rrallë dhe kompleks që përfshinte heqjen e përkohshme të mitrës – ku ndodhej foshnja – për të lejuar heqjen e qelizave kancerogjene nga vezoret.
Operacioni 5-orësh, i drejtuar nga Dr. Soleymani Majd, u realizua me sukses. Mitra e Lucyt që përmbante djalin e saj, Rafferty, qëndroi jashtë trupit të saj për rreth dy orë, ndërsa mjekët kryen trajtimin e nevojshëm. Më pas, ajo u vendos sërish në vendin e saj dhe shtatzënia vijoi normalisht.
Në fund të janarit, Rafferty Isaac erdhi në jetë në mënyrë të sigurt, duke shënuar një fitore të jashtëzakonshme të mjekësisë dhe dashurisë prindërore. Për familjen Isaac, kjo lindje ishte edhe më e veçantë, pasi babai i vogëlushit, Adam, kishte kaluar një transplant veshkash në vitin 2022.
“Të mbajmë më në fund Rafferty në krahë pas gjithçkaje që kemi kaluar, ishte momenti më i mahnitshëm”, u shpreh Adam me emocion për mediat britanike.