Pas Italisë edhe Britania? “The Telegraph”: Qeveria britanike mund të dërgojë emigrantët e refuzuar në Shqipëri dhe vende të tjera të Ballkanit

Sekretarja e Brendshme britanike, Yvette Cooper, ka diskutuar mundësinë që Mbretëria e Bashkuar të paguajë disa vende të Ballkanit për të pranuar migrantët që u është refuzuar kërkesa për azil në Britani. Ky diskutim është zhvilluar gjatë një takimi me përfaqësues të lartë të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), ndërsa qeveria britanike po shqyrton mundësinë e ngritjes së qendrave të posaçme jashtë territorit të saj.

Sipas të përditshmes britanike “The Telegraph”, si vende të mundshme për vendosjen e këtyre qendrave janë përmendur Shqipëria, Serbia, Bosnja dhe Maqedonia e Veriut. Këto qendra do të shërbenin për pritjen e migrantëve që nuk kanë fituar të drejtën e qëndrimit në Britani dhe që për pasojë duhet të riatdhesohen.

Një dokument i përgatitur nga UNHCR-ja thekson nevojën për krijimin e sistemeve efektive të kthimit të azilkërkuesve, ndërsa vë në pah edhe mundësinë që këto qendra të ndihmojnë në proces, për aq kohë sa nuk bien ndesh me parimet e mbrojtjes ndërkombëtare të refugjatëve.

Në këtë kuadër, modeli italian duket se po merret si shembull. Italia ka ngritur tashmë dy qendra për përpunimin e migrantëve në territorin e Shqipërisë, për ata që ndalohen në Mesdhe gjatë përpjekjes për të hyrë në Evropë. Ky precedent ka nxitur qeverinë britanike që të eksplorojë mundësi të ngjashme.

Megjithatë, UNHCR-ja ka theksuar se për çdo marrëveshje të tillë që do të përfshinte Britaninë e Madhe, do të kërkohej vendosja e mekanizmave të qartë monitorimi, për të siguruar se respektohen të gjitha standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut në këto qendra.