KLGJ reagon ndaj deklaratave të Ramës: Presioni ndaj gjyqtarëve, kërcënim i drejtpërdrejtë për pavarësinë dhe sundimin e ligjit

Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama ndaj SPAK dhe GJKKO, në lidhje me çështjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Në një deklaratë zyrtare, KLGJ shprehet se çdo përpjekje për të ushtruar presion ndaj gjyqtarëve përmes deklaratave publike nga figura politike apo mediat e caktuara, përbën një kërcënim serioz për pavarësinë e gjyqësorit, demokracinë dhe sundimin e ligjit.

“Këshilli ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit dhe mban qëndrimin se çdo përpjekje për të cenuar pavarësinë e gjyqësorit përmes presionit apo trysnisë përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj shtetit të së drejtës,” theksohet në deklaratë.

KLGJ i bën thirrje të gjithë aktorëve që të shmangin deklaratat dhe aludimet që cënojnë figurën dhe integritetin e gjyqtarëve.

Sipas KLGJ, në një shtet që ndjek rrugën e anëtarësimit në BE, mënyra e vetme për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është përmes mjeteve ligjore dhe apelimit në gjykatat më të larta.

Këshilli përfundon duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së pavarësisë së gjyqtarëve për të garantuar të drejtat dhe liritë e qytetarëve.