Një 23-vjeçar sirian ka vrarë një djalë 14-vjeçar dhe ka plagosur pesë persona të tjerë në një sulm me thikë të shtunën në qytetin Fillak të Austrisë. Autoritetet konfirmuan se sulmuesi kishte motive terroriste dhe ishte radikalizuar në internet në një kohë të shkurtër.
Ministri i Brendshëm, Gerhard Karner, deklaroi se sulmuesi kishte lidhje me grupin Shteti Islamik dhe e cilësoi aktin si një sulm islamist kundër njerëzve të pafajshëm.
Gjatë incidentit, një 42-vjeçar sirian arriti ta ndalojë agresorin, duke parandaluar përkeqësimin e situatës. Guvernatori i landit, Peter Kaiser, e vlerësoi këtë akt duke thënë se “tregon se sa ngushtë mund të bashkohen e keqja terroriste dhe mirësia njerëzore”.
Ky është sulmi i dytë vdekjeprurës xhihadist në Austri pas atij të vitit 2020 në Vjenë, ku një sulmues i armatosur vrau katër persona para se të qëllohej nga policia.
Presidenti austriak, Alexander Van der Bellen, e quajti sulmin të tmerrshëm dhe shprehu ngushëllime për familjet e viktimave. Edhe komuniteti i Sirisë së Lirë në Austri u distancua nga akti, duke theksuar se ai nuk përfaqëson sirianët që kanë kërkuar mbrojtje në këtë vend.
Fillaku, një qytet turistik pranë kufirit me Italinë dhe Slloveninë, njihet për atmosferën e tij të qetë, por u trondit nga ky akt dhune. Autori i sulmit është arrestuar dhe hetimet po vazhdojnë.