Sot të gjithë i keni kthyer sytë nga Xibri! Kaq vonë…

Tërmeti i orëve të para të mbrëmjes së 15 janarit 2023, e kishte epiqendrën në një fshat të vogël, të quajtur Xibër, vetëm 25 kilometra larg Tiranës.
I dëgjuar pak, për herë të parë, kur nisi ndërtimin e u vu në ‘jetë’ rruga e ‘Arbërit’.
Por vetëm kaq.
Një zonë e varfër, sa afër, aq edhe larg kryeqytetit.
E harruar 11 muaj të vitit, por e sjellë në vëmendje vetëm gjatë muajve të fushatave elektorale.
Mbrëmë u mor vesh se qenka një fshat, jo i vogël në sipërfaqe, dhe me një numër të konsiderueshëm banorësh, diku në mes të Klosit dhe Tiranës.
Ku njerëzit janë shumë të varfër. Ku rruga e makinës ose është në gjendje katastrofë, ose nuk ekziston fare. Ku uji mungon. Kanalizime e sistem vaditës apo për ujë të pijshëm nuk ka. Ku edhe gurrat që ka si burim duan t’ia marrin. Ku edhe lumenjtë që ka përreth, ia kanë kthyer në hidrocentrale.
Ku bujqit nuk subvencionohen kurrë.
Ku fëmijët bëjnë dhjetëra kilometra rrugë në këmbë për të shkuar në shkollë.
Ku dhjetëra familje blejnë me listë.
Ku qindra familje jetojnë me ndihmë sociale. E hanë të treja vaktet të njëjtin ushqim. Madje ka disa prej tyre që edhe bukën e kanë me kursim. Është vetëm 25 kilometra larg Tiranës.
Shtëpitë e tyre, janë të moçme, një lëkundje e lehtë, i shkatërron.
Sikurse i shkatërroi.
Është një fshat, edhe njëherë, vetëm 25 kilometra larg Tiranës. Është ai fshati që iu jep votat sa herë që iu trokisni në derë e iu premtoni se do iu bëni rrugën, do iu çoni ujin… e nuk e di sa e sa premtime të tjera, thjesht elektorale.
Sot, pas 33 vitesh, i keni kthyer sytë të gjithë andej… Kaq vonë… Me shpresën se ky kthim do të jetë premtimbajtur.