Shkodra mes ngjyrimeve të forta politike… Lufta brenda llojit dhe kostot e partive të mëdha!
Zgjedhjet përfunduan, numërimi u krye dhe tashmë janë shifrat ato që flasin qartë dhe nuk të lënë hapësirë tjetër vetëm se të merresh me interpretimin e tyre. Dy vite më parë Partia Demokratike humbi në zgjedhjet lokale edhe kështjelllën e fundit blu, Shkodrën!
Si u mor Shkodra në vitin 2023?
Brenda kështjellës blu të Shkodrës, ishin të “ngujuar” besnikët demokratë, të cilët po rezistonin çdo ditë nga “sulmet rozë”, që nisën t’i ndërprisnin burimet kryesore të jetësës. Siç ndodh rëndom me kështjella të “pushtuara”, historia ka treguar se në mesjetë sulmuesit tregoheshin të pa mëshirshëm ndaj banorëve! Për ta kishte rëndësi fitorja, shumë pak kujdesëshin se si do e arrinë atë.
Kështu “Kështjella blu” nisi të dobësohej, “luftimet” e njëpasnjëshme nisën të lëkundnin “besnikërinë” ndaj “parisë”. Ndërsa nisën edhe “grindjet” e brendshme, mes “gjeneralëve”, sidomos kur “sulmuesi rozë” arriti që të shkëpusë nga “besnikët” blu, njërin nga “kolonelët” .
Ndërsa grindjet nisën të shtohen, “paria” e kështjellës në pamundësi të përballej me sulmet që tashmë kishin nisur t’i vinin edhe nga brenda, nisi të dobësohej, ushtarët që po ruanin bedenat e “kështjellës” nisën të dezertojnë. Po ashtu brenda radhëve të mbrojtësve të “Kështjellës blu”, disa oficerë të rëndësishëm, tashmë të lodhur nga sulmet e fuqishme nga jashtë, nisën negociatat me “sulmuesit rozë”, që do mbetëshin të pa dëmtuar, nëse do bënin “aleancë” me ta. Madje ndër ta edhe oficerë të nivele të larta, që dinin gjitha “sekretet” madje ndër ta edhe hartues të strategjisë së mbrojtjës së “Kështjellës blu”. Nga ana tjetër “Toga jeshile” e cila ishte jashtë kështjellës në këto sulme ndër vite, më shumë ka qenë indiferente se sa e interesuar për të pushtuar “kështjellën blu” të Shkodrës. Ashtu siç u tregua indiferente edhe në vitin 2022! Kjo pasi “toga jeshile” interesohej të mbante pushtimin e saj dhe të fortifikonte edhe më shumë pushtetin në “Kalanë e Danjës”. Me 15 maj “Sulmuesit rozë” dhe “Toga jeshile” të mbështetur edhe nga “Kalorsia Pretoriane”, pasi kishin hartuar strategjinë, nisën sulmin dhe “Kështjella blu” ra, në krye të “Kështjellës blu” u ngrit flamuri “Rozë”, dhe tashmë Shkodra nisi të ndryshojë ngjyrë. Por u desh pak kohë që “garnizoni blu” i Shkodrës të rimobilizohej dhe të niste punën për të rikthyer besimin tek radhët e tij, por edhe të krijonte besimin tek banorët e “Kështjellës”.
Çka ndodhi dhe si u arrit që PD në Shkodër të ringrihej nga humbja “shokuese” e vitit 2023?
Partia Socialiste e cila tashmë suksesin e fitorës së 15 majit 2023 e ka të lidhur me një emër, Benet Beci.
PS zgjodhi që në këto zgjedhje të futej me një skuadër totalisht të re, që në pamje të parë ishte një kornizë e admirueshme, nëse lexon vetëm CV-të e kandidatëve. Mungesa e përvojës politike, e secilit nga kandidatët, por edhe e fushatave elektorale. Pjesa më e madhe nga kandidatët e PS-së në Qarkun Shkodër janë të njohur në profesionet e tyre, por të pa angazhuar politikisht, dhe pa një përvojë në ballë të asaj që shpesh quhet “makineri e votave”. Strategjia e ndjekur nga shtabi elektoral por edhe ekspertët e imazhit, ishte e përqëndruar tek sukseset e Benet Becit në krye të Bashkisë me të madhe të Veriut, dhe tek investimet strategjike të qeverisë me donatorët europianë, që siç duket nuk arritën të krijonin frymën e nevojshme të besimit tek elektorati për të arritur objektivin prej pesë deputetësh në Qarkun Shkodër. Nga ana tjetër konflikti mes PS-së dhe aleatit të saj PSD, agravoi deri në akuza nga kreu i PSD-së Tom Doshi për Benet Becin si njeri i korruptuar, dhe subjekt i SPAK. Konflikt që çoi deri në largimin nga puna të mbështetësve të PSD-së fillimisht dhe më pas edhe me bllokimin e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak Shkodër, bojkotimin e tyre nga socialdemokratët, të mbështetur edhe nga PD-ja.
Nga ana tjetër PD-ja ka ndjekur strategji tjetër, e cila pasi përfundimisht kishte tashmë vulën, dhe selinë e saj, dhe për të shmangur përçarjen edhe më të thellë vendosi që të komandonte në krye të PD Shkodër një grua. Përpjekjet për të afruar të pakënaqurit me kastën e vjetër “sunduese” në PD Shkodër, rikthimin pranë degës të disa figurave që janë menjanuar nga “paria” 30 vjeçare e selisë blu lokale, nisën të krijonin një imazh bashkimi të së djathtës.
Nga ana tjetër drejtuesi politik i baraslarguar nga debati i brendshëm në PD-në lokale, arriti të ulte debatin.
Por me nxjerrjen e listave të kandidatëve dhe katapultimin e tyre, madje edhe riciklimi, solli pakënaqësi të mëdha në radhët e demokratëve Shkodranë. Por lidershipi i PD-së së Shkodrës arriti që të amortizonte debatin dhe të krijonte klimën e bashkëpunimit mes bazës së partisë dhe vetë kandidatëve, aq sa ishte e mundur.
Dhe më shumë vështirësi, mungesë burimeve njerëzore dhe financiare PD-ja arriti të mbante rezultatin duke dërguar sërish në kuvend 5 deputet.
Nga ana tjetër socialdemokratët e Tom Doshit, të cilët sulmoheshin nga të gjitha anët, si nga PS-ja, ashtu nga PD-ja, por edhe nga strukturat ligjzbatuese si SPAK dhe BKH, arriten që me sforco të madhe të ruajnë 2 mandate. Strategjia që ndoqi PSD-ja dhe Tom Doshi ishte përqëndrimi në zonën e Vaut të Dejës, ku kishte edhe mbështetjen e Kristian Shkrelit kreut të bashkisë, i cili kishte radhën t’i kthente “borxhin” PSD-së dhe Tom Doshit për fitorën në 2023-in. Pavarësisht se Kryeministri Rama e paralajmëroi duke i thënë “ Kristian mos më luaj me dy porta”. Ai qëndroi në krah të Tom Doshit i cili doli forcë e parë në Vaun e Dejës, ndërsa kishte tkurrje të madhe në Shkodër, por arriti të ruante votat në Pukë, dhe në Malësi të Madhe.
Por në këto zgjedhje nuk ka të fituar, pasi debati i brendshëm mes kandidatëve dhe mbështetësve të tyre ishte shumë i madh, ku në shumë raste kandidat të dyja forcave kryesore si të PD ashtu edhe te PS të pa edukuar me frymën e grupit, por të prirur nga “egoizmi” kërkonin votën vetëm për vete, dhe asnjëherë për partinë. Mungesa e bashkëpunimit, madje kjo mungesë shkonte deri në atë pikë sa kandidatët e listës së hapur si ata të PD ashtu edhe ata të PS, rivalitetin e theksuar e kishin brenda së njëjtit kamp! Rivalitet ky që i kushtoi vota si PD-së ashtu edhe PS-së. Kandidat që në rend të parë kishin egoizmin personal dhe më pas idenë, ndërsa nuk arrinin në asnjë moment të shpalosnin programin politik, dhe të artikulonin qartë synimet e tyre, arsyet se pse iu futën politikës, duke qënë se një pjesë e mirë e tyre kandidonin për herë të parë. Debatet dhe rivaliteti mes kandidatëve të të njëjtit kamp nuk u zbuten dot as nga drejtuesit politik, si tek PD ashtu edhe tek PS.
Por PD zgjodhi që në fushë të hapur të hidhte njerëzit më me përvojë në fushatat elektorale, çka tregon edhe rezultati, ndërsa tek PS dy nga lista e hapur treguan se dinë dhe kanë strategji të grumbullojnë vota, për vete.
Ndryshe ndodhi në bashkitë tjera të Shkodrës! Në Malësi të Madhe fakti që katër vite më parë mori mbi 7000 vota ose 44.19%, në këto zgjedhje u tkurr ndjeshëm në vetëm 4971 vota ose 10% më pak se në në zgjedhjet e kaluara duke zbritur në 34.92%.
Vau i Dejës i cili u përball me një rivalitet të egër, ku PSD-ja do ruante “bastionin” e saj, nga ana tjetër PS-ja e cila synonte përmbysjen e këtij bastioni dhe PD arriti të marrë 4698 vota duke u tkurrur me 2000 vota dhe me rreth 6% më pak se zgjedhjet e kaluara, duke zbritur në 34% nga 40%.
Dy bashkitë malore ku PD ka fituar zgjedhjet lokale të dy viteve më parë, arriten të ruhen dhe të ketë epërsi por problemet mes kandidatit dhe bazës u reflektuan që në primare çka solli edhe rezultat të ulët personal. Por angazhimi i kandidatëve të listës së hapur të PD-së rikuperuan votat për PD-në. Nga ana tjetër PS dhe PSD arriten të ruajnë votat, PS nga zgjedhjet e fundit parlamentare, ndërsa PSD nga ato lokale.
Rezultati final si në nivel qarku ashtu edhe në secilen nga 5 bashkitë e Shkodrës, tregon se sistemi zgjedhor prodhon më shumë probleme se sa zgjidhje për zgjedhje. Mungesa e një kulture politike, dhe përgjegjësia e kandidatëve për siglen që përfaqësojnë, dhe synimi i “grabitjes” së votave mes njëri tjetrit brenda së njëjtit kamp, kanë lënë PD-në me 5 deputet dhe PS-në me rritje të lehtë dhe larg objektivit, dhe me përmbysje të rezultatit në Bashkinë e Shkodrës, duke e rikthyer nga rozë në blu.