Lëvizjet në polici/ Boomerang nga Alda Klosi dhe Erisa Fero?

Nga ‘Replika.al’

E analizuar dhe e parë në shumë këndvështrime, çështja e Rozeta Dobit dhe Alda Klosit, mund të thuhet pa frikë se është një nga çështjet që nxorri zbuluar realitetin e punonjësve të administratës në vendin tonë. Nga ana tjetër, rasti i Erisa Feros ishte jo më pak flagrant.

Në banesën e Alda Klosit, u vodh një sasi parash që një rrogëtar shteti nuk ka ku t’i gjejë.  Fero u kap duke transportuar kanabis. Aspak normale.

Mëgjithatë të gjithë u morën me pastruesen, dhe shumëpak kush me ish shefen e kabinetit.  E vetmja gjë që u tha, ishte se u nis një hetim. Hetim i cili duket se do të mbyllet duke u mjaftuar me deklaratën se paratë ishin të mbledhura për xhaxhain me kancer. Nuk është çudi, sepse nuk është hera  e parë që ndodh.  Madje nuk është çudi as se si në këtë vend, rastësisht, në dy zona ku janë goditur dy zyrtaret e larta, u lëvizën shefat e komisariateve.

Bëhet fjalë për emërimet e reja të zbardhura sot nga Drejtori i Përgjithshëm  i Policisë së Shtetit, z. Muhamet Rrumbullaku. Shefi i Komisariatit të Pogradecit, Oltion Agolli, transferohet me detyrë në Sarandë. Ndërsa shefi i komisariatit nr.2 në Tiranë, Edmond Pjetraj, lëviz në një pozicion ende të pabërë publik.

Shefave të policive duket se po iu kthehet në boomerang bërja e detyrës siç duhet.

Nëse do t’i referohemi zërave të analizës vjetore në DVP Tiranë, Komisariati  nr. 2 ishte me rezultatet më të larta.

Ndërsa edhe Pogradeci, ka pasur mjaft rezultate sa i takon ngjarjeve që kanë ndodhur atje.

Nuk është hera e parë, që në polici, pas përfundimit me rezultate shumë të mira të analizave vjetore, të lëvizen shefa e drejtues.

Mesa duket, edhe kësaj radhe, pavarësisht zotimit, nuk është bërë e mundur pamvarësia e këtij institucioni kaq të rëndësishëm, nga gozhdimet dhe ndikimet politike.