Një ditë pas operacionit, kryeministri Edi Rama lë ambientet e spitalit në gjendje të mirë shëndetësore

Kryeministri Edi Rama ka lënë sot ambientet e QSUT-së, një ditë pas operaconit që kreu për heqjen e hernies inguinale. Gjendja e Ramës ka qenë e mirë, ndërkohë që gjatë mbrëmjes së djeshme iu rekomandua të qëndronte në spital për të qenë nën kujdesin e mjekëve.

Ndërhyrja e Ramës u krye nga 5 mjekë kirurgë në QSUT, me në krye profesor doktor Arben Gjatën. Ky i fundit tha dje në një komunikim me mediat, se operacioni i Ramës kishte zgjatur dy orë, dhe kryeministri kishte qenë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore, ndërsa ndërhyrja ishte planifikuar prej ditësh.

Rama e paralajmëroi ndërhyrjen në fund të gushtit, teksa ishte për një inspektim në spitalin “Nënë Tereza”. “Unë mund të flas edhe si pacient i spitalit që e provova vetë, madje mund të vij prapë për një tjetër ndërhyrje! Kam një hernie inguinale (dhjamthi) që…i kam mësuar edhe emrin… edhe…se kësaj diskales nuk kërkoj mjek se punoj me forcat e mia, me streç dhe vetëpërmbajtje para ushqimit që të mos e rëndoj shumë mbi kolonën e lodhur nga basketbolli, por kësaj inguinales me sa duket nuk i bëj dot derman me forcat e mia, kështu që do të vij prapë. Me shumë kënaqësi do të vij,”-paralajmëroi Rama.

Kjo është hera e dytë brenda 18 muajsh që Rama shtrohet në spital, pasi në prill të vitit të kaluar bëri një ndërhyrje për heqjen e apandesitit.