Senati italian miraton marrëveshjen me Shqipërinë për emigrantët: Dekreti bëhet ligj me 90 vota pro

Senati italian ka miratuar zyrtarisht marrëveshjen me Shqipërinë për menaxhimin e emigrantëve, duke e kthyer dekretin në ligj pas votimit përfundimtar me 90 vota pro, 56 kundër dhe 1 abstenim. Ky votëbesim i kërkuar nga qeveria vjen pas miratimit të parë të dekretit më 15 maj nga Dhoma e Deputetëve.

Marrëveshja parashikon funksionimin e qendrave të emigrantëve në territorin shqiptar, me theks të veçantë tek e ashtuquajtura “qendër e nxehtë” në Gjadër. Ligji i ri zgjeron grupin e emigrantëve që mund të transferohen nga Italia në Shqipëri, duke përfshirë tashmë edhe ata që mbahen në qendrat e paraburgimit për riatdhesim, të cilët i nënshtrohen urdhrit për dëbim apo ndalimit të validuar dhe të zgjatur nga autoritetet italiane.

Në veçanti, paragrafi 1 i nenit të parë të Dekretit Legjislativ 37/2025, që modifikon Ligjin 14/2024 (ligji që ratifikoi Protokollin Romë-Tiranë të 6 nëntorit 2023), ka riaktivizuar efektivisht funksionimin e marrëveshjes, pas pengesave ligjore të mëparshme që gjykatat kishin vendosur për ndalimin e emigrantëve të shpëtuar në ujërat ndërkombëtare.

Sipas dekretit të ri, në Shqipëri do të mund të dërgohen edhe emigrantë nga të ashtuquajturat vende të sigurta, ndonëse procedurat e përshpejtuara kufitare do të zbatohen me kujdes, në pritje të një vendimi të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë për legjitimitetin e listës kombëtare italiane të vendeve të sigurta.