Krimet zgjedhore/ SPAK i kthen përgjigje PD-së: Kemi 5 hetime të nisura kryesisht
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka nisur hetimet për disa çështje të lidhura me krimet zgjedhore. Në një kthim përgjigje për Partinë Demokratike, SPAK bën me dije se që nga janari janë regjistruar gjithsej 18 procedime penale. Por po ashtu, theksohet se nga këto 18 procedime të regjistruara, 5 prej tyre janë regjistruar kryesisht.
“Në përgjigje të shkresës tuaj, Nr.267 Prot. datë 02.04.2025, ardhur dhe protokolluar më datë 03.04.2024, pas verifikimeve të kryera në regjistrin e njoftimit të veprave penale të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në lidhje procedimet penale të regjistruara për krimet zgjedhore rezulton se: 1. Për periudhën janar 2025 deri aktualisht, në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe krimit të Organizuar janë regjistruar gjithsej 18 procedime penale që lidhen me krimet zgjedhore. 2. Nga 18 procedime penale të regjistruara gjithsej për krimet zgjedhore, 5 prej tyre janë regjistruar kryesisht,”-shkruhet në përgjigjen e kthyer nga SPAK.
SPAK ka ngritur një task forcë, e cila përfshin prokurorë, hetues të BKH-së, hetues financiarë, ekspertë dhe staf administrativ mbështetës. Sa i përket grupeve hetimor në terren, Prokuroria e Posaçme njoftoi se do të fokusohen në parandalimin dhe hetimin e veprave penale që lidhen me përdorimin e administratës publike, infrastrukturës shtetërore, dhe përfshirjen e grupeve kriminale në procesin zgjedhor.
Përveç SPAK, edhe Prokuroria e Përgjithshme miratoi udhëzim për masat administrative dhe procedurale në periudhën para dhe pas zgjedhjeve.