Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Sali Berishës për heqjen e masës “detyrim paraqitje”
Gjykata e Lartë ka vendosur të mos pranojë rekursin e paraqitur nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili kërkonte heqjen e masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, të vendosur ndaj tij nga strukturat e drejtësisë.
Po ashtu, është rrëzuar edhe kërkesa e Jamarbër Malltezit, dhëndrit të Berishës, i cili ndodhet në “arrest shtëpie” dhe kishte kërkuar zëvendësimin ose heqjen e kësaj mase sigurie.
Berisha po hetohet në kuadër të çështjes për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, një dosje e hapur nga SPAK ku ish-kryeministri akuzohet për shpërdorim detyre dhe ndërhyrje në proceset e privatizimit.
Sipas vendimit të mëparshëm të gjykatës, Sali Berisha është i detyruar të paraqitet dy herë në muaj pranë oficeres së policisë gjyqësore, Adelajda Metaj, pranë Prokurorisë së Posaçme (SPAK), konkretisht të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, në orën 10:00.