Mevlan Shanaj pret filmin e jetës! Një rrëfim emocional, nga komunizmi deri sot…

Në këtë puntatë të Profil ishte i ftuar Mjeshtri i madh Mevlan Shanaj për të rrëfyer për jetën e tij personale dhe karrierën e tij të gjatë si aktor dhe regjisor.

Ai është një figurë e dashur për publikun shqiptar si aktor, regjisor, producent dhe skenarist. Në fillimet e tij nisi shkollën për ndihmës mjek dhe punoi dy vite në këtë profesion por më vonë e la pergjysmë për t’ju perkushtuar artit.

Në “Profil” rrëfeu se kishte idhull Aleksandër Moisiun dhe donte të bëhej si ai, dhe kjo e shtyu për të ndryshuar rrugëtimin e jetës së tij, për tu bërë artist.

Në vitin 1970 mori rolin e parë si Ibrahim Kovaçi apo Komisari Memo në filmin “I 8-ti në Bronx” film që i hapi rrugën jo vetëm përfshirjës së tij në kinematografi por edhe njohjes me emra të mëdhenj si Viktor Gjika, Pandi Raidhi, Piro Mani, Kadri Roshi etj.

Mevlan Shanaj perveç se ka luajtur role të dashura nga publiku shqiptar është regjisor i shumë filmave para dhe pas 90-tës si “Lule të kuqe, lule të zeza”, “Fletë të bardha”, “I paharruari”, “Një telegram një këngë”, “Plumbat e perandorit”, Pallati 176” etj.

Në rrëfimin e dhënë për gazetaren Greta Topjana ai tha se të jesh artist është e vështirë sepse je në një garë dhe në një gjyq nga publiku…por ai i gëzohet faktit që vepra e tij ka mbetur, “Të ketë jetuar filmi dhe ta përmend publiku, kjo është fitore.”-thotë artisti.

Artisti u pyet edhe për diskutimin mbi fshirjen e filmave të para 90-tës ku ai u përgjigj ashpër dhe me Kritika për ata që e kanë sjellë këtë diskutim: “Artistët që kanë kërkuar fshirjen e filmave të para 90-tës janë mediokër”. Madje ai nuk ishte dakord as që të shënohen filmat pasi e quajti “injorancë”.

Sa i përket jetës së tij familjare, regjisori tregoi për sekretin që martesa e tij vazhdon e lumtur prej më shumë se gjysmë shekulli me poeten dhe shkrimtaren Natasha Lako, ai tha që respekti e mban një lidhje se dashuria është kalimtare.

Bashkë me Natashën kanë sjellë në jetë Herën edhe Jonin, por njëri nga fëmijët ka vendosur të ndjekë hapat e artistit, sepse djali, Joni Shanaj prej vitesh njihet si një nga regjisorët e rinj më të mire në vend.

Mevlan Shanaj tregoi se nuk ka dashur që fëmijët e tij të ndiqnin rrugën e artit sepse ai e ka parë artin si torturë, por torturë të bukur ama.

I pyetur nga gazatarja nëse e ka bërë filmin më të mirë të karrierës së tij ai u shpreh:

“Nuk e kam bërë ende filmin më të mirë të karrierës, deri tani po bëja prova, tani jam i ditur…”

Gjatë kësaj interviste artisti na zbuloi për herë të parë një pasion tjetër që nuk ka lidhje me artin, ai është tifoz i Partizanit: “Jam fans i Partizanit, sa herë shkoj unë fiton ekipi. Po erdhi Mevlani thonë ata fitojmë, por unë shkoj vetëm kur përplaset me Tiranën,”-u shpreh Shanaj.

Artisti përveç se ndau me ne një rrëfim emocional për jetën dhe krijimtarinë e tij, na ftoi për një tur në Universitetin e Arteve për të na treguar jo vetëm për kujtimet e tij në ato korridore por edhe për marrëdhënien e tij me studentët.

Ai na rrëfeu se kurrë nuk ka ngelur asnjë student madje u ndal te një episod me një student i cili nuk mësonte: “Unë nuk kam hallin tënd por kam hallin tim nuk vë dot katër unë more, më shpëto mua se unë e shoh që tu nuk di, më shpëto mua se nuk vë dot katër i lutesha unë atij.”-tregoi artisti Mevlan Shanaj me të qeshura.