Sulmi me 100 plumba në Malësi të Madhe, identifikohen autorët! Njëri prej tyre, nip i “Kumbarit” që u ekzekutua 4 vite më parë

Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Gruemirë në Malësi të Madhe, ku dy persona hapën zjarr me mbi 100 plumba, duke shkaktuar panik tek banorët. Fatmirësisht, nga ky sulm nuk pati viktima.

Autorët e dyshuar janë Erion Vocrri dhe Rivaldo Zmijanej (Planaj), të cilët, sipas hetimeve, kishin shkuar për të kryer një vjedhje. Ata janë pikasur nga tre banorë të fshatit, me të cilët kanë debatuar, dhe gjatë largimit kanë qëlluar me armë zjarri në ajër.

Njëri prej të shpallurve në kërkim, Rivaldo Zmijanej Planaj, është nipi i Bardhok Planajt, i njohur ndryshe si “Kumbari”, i cili u ekzekutua në vitin 2021 në Shkodër.

Kush ishte Bardhok Planaj?

Planaj ishte një emër i njohur për policinë dhe drejtësinë shqiptare. Në vitin 2014, ai u dënua për “Pastrimin e parave”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Ndërtim pa leje”, ndërsa iu sekuestrua një pallat 10-katësh me vlerë rreth 2 milionë euro. Ai dyshohej gjithashtu për përfshirje në trafik droge me grupe kriminale nga Shqipëria në Itali.