Robert Kennedy Jr sulmon OBSH-në: Është në grahmat e fundit! Propozon krijimin e institucioneve të reja shëndetësore
Ministri i Shëndetësisë së Shteteve të Bashkuara, Robert Kennedy Jr., ka lëshuar deklarata të forta kundër Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), duke e quajtur atë “në grahmat e fundit” dhe duke propozuar krijimin e institucioneve të reja globale për menaxhimin e shëndetit publik.
Në një video të transmetuar nga Fox News, Kennedy i bëri thirrje ministrave të shëndetësisë nga mbarë bota që të mos e shohin largimin e SHBA-së nga OBSH-ja si një veprim izolues, por si një “thirrje për zgjim”. Ai deklaroi se tashmë janë zhvilluar kontakte me vende të tjera që ndajnë të njëjtin qëndrim kritik ndaj OBSH-së dhe po punohet për ndërtimin e një strukture të re ndërkombëtare shëndetësore.
“Ne i inkurajojmë të gjitha vendet të shqyrtojnë mundësinë për t’iu bashkuar kësaj nisme,” u shpreh Kennedy, duke nënvizuar nevojën për alternativa ndaj organizatave ekzistuese që, sipas tij, kanë dështuar në menaxhimin e krizave globale si pandemia e Covid-19.
Deklaratat e tij vijnë pikërisht në kohën kur në Gjenevë po zhvillohet Asambleja e 77-të Botërore e Shëndetësisë, ku anëtarët e OBSH-së miratuan një marrëveshje historike për përgatitjen ndaj pandemive të ardhshme.
Pas tri vitesh negociatash, traktati i detyrueshëm ligjërisht u miratua mes duartrokitjesh nga delegatët, dhe u konsiderua si një hap thelbësor për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në përballjen me kriza shëndetësore globale.
“Kjo marrëveshje është një fitore për shëndetin publik, shkencën dhe veprimin shumëpalësh. Ajo do të na ndihmojë të mbrojmë kolektivisht botën nga pandemitë e së ardhmes,” u shpreh drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Megjithatë, traktati nuk kaloi pa kundërshti. Sllovakia, e udhëhequr nga një qeveri me qëndrime skeptike ndaj vaksinave, kërkoi zhvillimin e një votimi të veçantë. Në përfundim, 124 vende votuan pro, asnjë kundër, ndërsa 11 vende – përfshirë Italinë, Rusinë, Izraelin, Sllovakinë, Poloninë dhe Iranin – abstenuan.
Pavarësisht kundërshtimeve dhe debatit të brendshëm mes vendeve anëtare, traktati është parë si përpjekje e parë konkrete për të krijuar një sistem të përbashkët menaxhimi ndaj rreziqeve të ardhshme shëndetësore në nivel botëror.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse nisma e Robert Kennedy Jr. për të formuar një alternativë ndaj OBSH-së do të gjejë mbështetje të gjerë ndërkombëtare apo do të mbetet një qëndrim i izoluar politik brenda radhëve të administratës amerikane.