Reshje të rrëmbyeshme shiu godasin Francën juglindore, 3 të vdekur
Reshje të dendura shiu dhe stuhi të fuqishme kanë goditur rajonin juglindor të Francës, duke shkaktuar tragjedi. Tre persona kanë humbur jetën si pasojë e kushteve ekstreme të motit. Mediat franceze raportojnë se ndër viktimat është një çift të moshuarish rreth të 80-ave, të cilët humbën jetën në qytetin bregdetar të Le Lavandou.
Një tjetër viktimë është regjistruar në qytetin e Vidauban, ndërsa autoritetet janë në gatishmëri për shkak të mundësisë së përmbytjeve të mëtejshme.
Stuhitë dhe reshjet e shiut kanë prekur edhe rajonin jugperëndimor të Francës. Në qytetin Tonneins, një tren me shpejtësi të lartë TGV u detyrua të ndalonte në mes të natës për shkak të dëmtimeve në infrastrukturë. Më shumë se 500 pasagjerë u evakuuan me autobusë, ndërkohë që përmbytjet prekën banesa dhe linjat hekurudhore, duke shkaktuar kaos dhe ndërprerje të qarkullimit.
Autoritetet franceze po bëjnë apel për kujdes dhe ndjekje të udhëzimeve të sigurisë, pasi priten reshje të tjera në orët dhe ditët në vijim.