Pas muajsh të tërë raportesh të tensionuara, me deklarata dhe polemika që trazuan politikën e të dy vendeve, Greqia ka ndryshuar qasje në raport me Shqipërinë. Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis në një konferencë me gazetarët ka folur për marrëdhëniet me fqinjin verior, duke thënë se Athina është e interesuar që të ketë marrëdhënie sa më të mira me Tiranën zyrtare.
Kreu i qeverisë greke tha se, edhe pse kanë kaluar një periudhë të vështirë, ndihet i kënaqur për lirimin e Fredi Belerit, ish-kandidat për Bashkinë e Himarës dhe tanimë eurodeputet i Greqisë në Parlamentin Europian. Beleri u dënua me 2 vite burg nga GJKKO për korrupsion zgjedhor. Javën e kaluar Gjykata e Fierit pranoi kërkesën e tij për lirim me kusht, 6 javë para se të kryente dënimin.
Kryeministri grek i përcolli një mesazh Tiranës duke u shprehur se marrëdhëniet Greqi-Shqipëri kalojnë përmes respektimit të të drejtave të minoritetit grek.
“Ne duam të kemi marrëdhënie sa më të mira me fqinjët tanë dhe me Shqipërinë. Kaluam një periudhë të vështirë, por ndihemi të kënaqur që Fredi Beleri është me ne në Selanik. Marrëdhëniet Greqi-Shqipëri kalojnë përmes respektimit të minoritetit grek dhe respektimit të të drejtave pronësore të bashkatdhetarëve. Ky është edhe një kusht i domosdoshëm për vazhdimin e perspektivës evropiane të Shqipërisë”, përfundoi Mitsotakis.
Deklaratat e kryeministrit të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis u bënë pas hapjes së Panairit të 88-të Ndërkombëtar të Selanikut. Kreu i qeverisë greke mbajti një fjalim për vizionin qeveritar deri në vitin 2027.