Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, gjatë një konference për media theksoi nevojën për bashkëpunim me Kosovën në luftën kundër lëvizjes Hizmet të cilin Turqia e konsideron organizatë terroriste (FETO). Fidan tha se prania e kësaj lëvizjeje në Kosovë është shqetësuese dhe paraqet një kërcënim për të dyja vendet.
“Folëm edhe për luftimin e terrorizmit, për hapat që duhet të ndërmerren kundër organizatës terroriste FETO [Organizata Terroriste Fethullaiste]. Për fat të keq, prania e FETO-s në Kosovë vazhdon të jetë shqetësuese për ne. Dua t’iu kujtoj se FETO është kërcënim edhe për Kosovën. Ne duhet ta luftojmë bashkërisht këtë organizatë”, tha Fidan.
Në vitin 2018, Kosova arrestoi dhe dëboi gjashtë shtetas turq të lidhur me Hizmet, të cilët më pas u dënuan në Turqi me mbi 56 vite burgim. Fidan shtoi se Turqia është duke përgatitur një marrëveshje sigurie me Kosovën dhe do të vazhdojë të mbështesë Prishtinën në të gjitha fushat.