Britania e Madhe finalizon marrëveshjen me BE për Irlandën e Veriut

 

Kryeministri britanik Rishi Sunak arriti një marrëveshje të re me Bashkimin Europian mbi rregullat tregtare pas Brexit për Irlandën e Veriut dhe tha se kjo do të hapë rrugën për një kapitull të ri në marrëdhëniet e Londrës me bllokun.

Duke qëndruar përkrah Presidentes së Komisionit Europian Ursula von der Leyen në konferencën para shtypit në kështjellën Windsor, Sunak tha se të dy palët ranë dakord të heqin “çdo ndjenjë kufiri” midis Britanisë dhe krahinës së saj.

 “Ky është fillimi i një kapitulli të ri në marrëdhënien tonë. Marrëveshja lidhet me ruajtjen e atij ekuilibri delikat dhe hartimin e një rruge të re përpara për popullin e Irlandës së Veriut”.

Marrëveshja shënon një strategji me rrezik të lartë për kryeministrin Sunak vetëm katër muaj pasi mori detyrën. Ai po kërkon të sigurojë përmirësimin e marrëdhënieve me Brukselin dhe Shtetet e Bashkuara pa zemëruar krahun e partisë së tij që mbështet Brexit-in.

Presidentja Von der Leyen theksoi se ky është një “mekanizëm i përkohshëm” dhe do të jetë Gjykata Europiane e Drejtësisë do të thotë fjalën e fundit për çështjet e tregut të përbashkët.

 “Ne mund të krenohemi me faktin se përmbushëm një angazhim. Kemi arritur një marrëveshje në parim që siguron zgjidhje afatgjata për popullin dhe bizneset në Irlandën e Veriut.”

Marrëveshje midis Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së janë arritur edhe më parë, vetëm për t’u refuzuar në Londër dhe suksesi i marrëveshjes ka të ngjarë të varet nëse pranohet ose jo nga Partia Sindikaliste Demokratike (DUP) e cila duhet t’i japë fund bojkotit të marrëveshjeve të bashkëqeverisjes në Irlandën e Veriut.

Mbreti Charles priti në një takim për çaj në Kështjellën Windsor Presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen pas shpalljes së marrëveshjes së re të Brexit-it për Irlandën e Veriut.